Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media lidhur me intervistimin e Flora Brovinës për fotografinë e postuar gjatë ditës së djeshme.
Prokurorja Speciale e rastit, Drita Hajdari, ka thënë se Brovina ka deklaruar në Prokurori se fotoja është nga viti 2003, shkruan lajmi.net.
“Sot është intervistuar zonja Brovina. E kam intervistuar unë personalisht për publikimin e fotos. Ajo ka deklaruar se fotoja në fjalë është nga viti 2003, ajo thotë se ka ardhur në posedim të kësaj fotoje përmes disa aktivistëve të Gjakovës, thotë se i ka besuar kësaj fotoje dhe ka vendosur ta publikojë”, ka thënë ajo.
Hajdari po ashtu ka thënë se Brovina këtë rast nuk e kishte raportuar më herët në Prokurori.
Hajdari ka shtuar se intervistimi i Brovinës është vetëm një hap hetimor, dhe se në të ardhmen do të ndërmerren edhe hapa të tjerë.
“Ajo ka thënë se nuk e ka raportuar këtë rast në Prokurori. Po ashtu, ajo ka shprehur një shqetësim me daljen e informatave që kjo foto mund të jetë nga lufta e Irakut dhe se ajo nuk ka një njohuri të tillë. Intervistimi i Brovinës është vetëm një hap hetimor, neve na mbeten edhe disa veprime hetimore për të ndërmarrë për një rezultat. Ne për çdo veprim do iu mbajmë në informim sepse ju i keni ndihmuar shumë prokurorisë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore”, ka thënë Hajdari.
Po ashtu pokurorja ka thënë se Brovina në prokurori ka deklaruar se nuk i kujtohet emri i personit që ia ka dhënë fotografinë.
“Ajo thotë që nuk i kujtohet emri, dhe që personi e ka thirë përmes telefonit, dhe që zarfin ia ka dorëzu një aktiviste nga Gjakova e cila do të intervistohet në ditët në vazhdim”, ka bërë të ditur ajo.
Brovina po ashtu u bë e ditur se në Prokurori ka deklaruar se nuk e di kush është viktima.
Prokurorja, Drita Hajdari po ashtu ka bërë të ditur se në lidhje me fotografinë e dytë të publikuar nga Brovina nuk ka pasur nevojë të hapen hetime, sepse rasti në fjalë ekziston në Prokurorinë Speciale.