Shkruan: Muxhahid Ismaili
Ishte vera e vitit 2014. Një verë e nxehtë e me plogështi. Përveç temperaturave të larta të motit, shteti ynë gjithashtu kishte hyrë në valën e protestave mbarëshqiptare kundër regjimit të atëhershëm VMRO-BDI. Atë kohë unë isha student në Turqi. Derisa në njërën anë e vëzhgonim situatën politike atje, proceset transformuese në Lindjen e Mesme, me një vesh e me të dy sytë isha në Maqedoni, duke i përcjellë me vëmendje dhe entuziazëm aq të madh ndryshimet politike që kishin filluar të bëhen në vendin tim: në njërën anë ishte vala e protestave popullore, ndërsa në anën tjetër ishte rilindja e shpresës rinore për opsione të reja alternative politike në vend. Disa ditë pas përfundimit të protestave mbarëshqiptare të 2014-tës, rastësisht, duke u endur në kalldrëmet e Çarshisë së Shkupit, u takuam me mikun tonë, publicistin e mirënjohur, Kim Mehmeti. Fill pas përshëndetjes së zakonshme, unë iu drejtova: “Aga Kim, çfarë po ndodhë me shqiptarinë, a do t’i japin fund protestat mbarëshqiptare BDI-së?” I heshtur dhe me buzëqeshje shpresëdhënëse ai më tha: “Mos kij dert, Muxhë, ju rinia do t’u jepni fund politik hajdutëve të kaltër. Ju, rinia, do ta fundosni përgjithmonë BDI-në”. Dhe, deri-diku, ashtu edhe ndodhi. Biseda jonë u konfirmua në dhjetor të 2016-tës, kur BDI mori goditjen më të lehtë nga rinia shqiptare e Maqedonisë – votat e saj u përgjysmuan, ndërsa numri i votave të opozitës shqiptare të atëhershme ishte dyfish më i madh se i votave të BDI-së.
Ngjashëm si me rininë shqiptare të vendit, ashtu ndodhi edhe me rininë kosovare, e cila pas shumë goditjeve, nga brenda e nga jashtë, fuqia rinore në fund të 2019-tës e solli në pushtet Vetëvendosjen e kahmotshme opozitare dhe reaksionare të Albin Kurtit. Kjo rini kosovare, ishte lajtmotivi kryesor, që me një fjalë i tha Kurtit: “Erdhi dita”. Për fat të keq, kjo ditë perëndoi shpejt, ndonëse shpresa mbetet në ditën tjetër. Menjëherë pas ardhjes së ditës, pushtetarët e rinj kosovarë filluan të ballafaqohen me problemet akute, që sot e kësaj dite janë në Kosovë. Albin Kurti, i njohur si figurë e shpresës, jo vetëm kosovare, por mbarëshqiptare, simbol i rezistencës dhe rinisë, filloi të ballafaqohet me realitetet politike, që mbizotëronin në Kosovën e pasluftës. Problemet akute të saj: demarkacioni, heqja e taksës me Serbinë, njohja reciproke mes tyre, liberalizimi i vizave, sistemi gjyqësor – krimi institucional, de-partizimi institucional, barazia shoqërore, tashmë qëndronin para kryeministrit të ri, i cili përveçse rezistonte me këto probleme shumëvjeçare, gjithashtu – si çdo shtet tjetër në botë – ballafaqohej edhe me virusin famëkeq Covid-19.
Këto problemeve, bashkë me ndarjen e pushtetit me LDK-në, në kohë pandemie me mocion mosbesimi në parlament, i dhanë fund pushtetit 50 ditësh të qeverisë Kurti. Në ditën e mocionit për mosbesim të qeverisë, kryeministri – gjatë fjalimeve të tij – ballafaqohej me realitetin kosovar muskulor të krahut ushtarak dhe me pleqtë e vjetër të ish-sistemit, por përkundër gjithë asaj trysnie të hatashme, mes tjerash, thoshte: “Përkundër gjithë kësaj gjendjeje, unë jam i gatshëm që ta shkel edhe parimin krucial dhe esencial të partisë ‘Jo Negociata, Vetëvendosje!’, ndërsa në saje të kësaj kërkoj që të ketë reciprocitet dhe barazi”. Por, kjo nuk ndodhi. E situata pas shpërbërjes së parlamentit na flet se Kosova në dekadën e fundit të politikës së saj, përveç pavarësisë, nuk e kishte bartur me vete edhe shtetformësinë. Ky ishte edhe ballafaqimi real i kryeministrit me koniunkturën politike në vend. Faktikisht, Kosova ishte republikë me 4 elementet themeltare të saj: populli, sistemi juridik, atdheu dhe historia, mirëpo nuk ishte shtetformuese. Ndërkaq, bashkë me (pa)shtetformësinë, ajo e vrau edhe shpresën rinore të saj.
Megjithatë, gjendja nuk duhet të paraqitet si tepër tragjike dhe dëshpëruese. Thjesht, ajo që ndodhi në Kosovë dëshmoi frazën e famshme se: “Politika është art i së mundshmes”. Albini mund të jetë simbol i rezistencës dhe rinisë, por jo edhe i republikës dhe gjithë Kosovës. Rugovistët dëshmuan se në politikë mjeshtëria jep rezultat dhe jo dija ose fjalori. Ndryshe, titistët e enveristët, bashkë me rugovistët e vjetër, i dhanë edhe njëherë dëshmi kryeministrit të ri se shteti mund të jetë i kapur nga gjithçka, por “nuk e lëmë Kosovën në duart e Albinit”. Kjo situatë, gjithashtu, e nxori në pah edhe njëherë fjalorin gogol të pushtetmbajtësve të vjetër se ata çdoherë kur shohin rrezik nga të tjerët, e kanë frazën e përgatitur mirëfilli: “Amerika, BE-ja, rreziku nga tjerët etj.”. Është pak a shumë e njëjta frazë, e përdorur këtu nga enveristët e Ali Ahmetit. Si refreni enverist dikur për “rrezikun imperialist amerikan dhe revizionizmin rus”. Pra, enveristët, edhe në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut, sa herë që shohin se u rrezikohet pushteti, ata me mjeshtëritë e tyre lëshohen në përdorim të inxhinieringut të propagandës së zezë ndaj oponentëve të tyre politikë. Enveristë nuk është se e kanë vetëm një pikë të përbashkët të tyre – propagandën e zezë ndaj oponentëve. Ata gjithashtu i bashkon fajësia për eksodin e rinisë shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë – ikja e brumit rinor nga vendet shqiptare, sfondi ushtarak, bërrylizimi dhe frika nga dija në politikë. Beteja politike mbarëshqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është betejë e mprehtë nën shpatën e dy teheve: ose krahu i luftës ose forca rinore!
Përkundër këtyre fakteve dhe hamendjeve, mendoj se periudha e pushtetarëve nën petkun e ushtrisë, e sidomos të UÇK-së, është duke marrë fund, kjo mbase edhe për të mirën e tyre politike. Ashtu siç Hashim Thaçi ushtarakisht nuk mund të barazohet me sakrificën e familjes Jashari, njashtu edhe Ali Ahmeti nuk mund të barazohet me sakrificën ushtarake të Harun Aliut, komandant Kushtrimi. Ashtu siç Albinit nuk duhet t’i jepet epiteti i “shpëtimtarit” të Kosovës, gjithashtu edhe Ibrahim Rugovës nuk duhet t’i mohohet mundi dhe sakrifica që Kosova u bë republikë!. Ndërkaq edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet ta heqim nga mendjet tona kontributin e PPD-së në pluralizmin politik të shqiptarëve në vend, e as t’ia harrojmë kontributin e Arbën Xhaferit e kontributet e politikanëve të mëparshëm, përkundër faktit që identiteti shqiptar ende vazhdon të mbetet i cunguar karshi politikave shqiptare. Një lajm i mirë këtu është se në skenën politike shqiptare kohëve të fundit disa parti politike shqiptare po mundohen që ta përfaqësojnë identitetin autokton të shqiptarëve në vend. Me fjalë tjera, këta politikanë me politikat e tyre autoktone, duke ofruar alternativë, po japin kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e identitetit politik shqiptar në vend ose ridefinimin e këtij identiteti politik, duke marrë parasysh edhe gjendjen reale të popullatës në vend. Pra, një identitet që e përfaqëson identitetin shqiptar në tërësinë e tij dhe pa paragjykime e përjashtime.
Përskaj këtyre ndodhive, që ditëve të fundit jemi duke i përcjellë në skenën politike kosovare, këtu tek ne, në politikën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, fatkeqësisht është duke ndodhur beteja e quajtur “imitim” – një situatë patologjike dhe ironike. Simpatizantët dhe fanatikët e partive opozitare shqiptare, me mish e shpirt, po mundohen që kryetarët e tyre t’i paraqesin si “shpëtimtarë” të kauzës shqiptare, duke i emërtuar edhe si “Albin Kurti i vendit”. Kosova e ka Albinin, ndërsa Maqedonia shqiptare nuk e ka dhe nuk besoj se duhet të ketë një Albin. Mendoj se çdo imitim e humb origjinalitetin. Shqiptarët duhet ta kenë alternativën e tyre të liderit ose kryetarit, ashtu siç edhe tashmë kanë ofruar një alternativë me Afrim Gashin dhe Ziadin Selën. Kjo garniturë politike nuk po e imiton askënd, sepse ajo po dëshiron që, nëpërmjet forcës rinore autoktone, të japë shpresë dhe alternativë shqiptare në vend.
Pikat e përbashkëta të betejave politike të fuqisë rinore në të dyja vendet, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, janë barazia dhe shtetëformësia. Kur të arrijmë që në këto dy sfera të triumfojmë, atëherë, detyrimisht dhe pa frustracione, do të kalojmë në fazën e strategjisë së përbashkët mbarëshqiptare. Strategjia jonë mbarëshqiptare pa mëmën Shqipëri nuk është asgjë. Ne nuk kemi nevojë as të evropianizohemi e as të amerikanizohemi në mënyrë të veçantë. Aleancat tona politike nuk duhet të jenë mbi interesat tona etnike. Duke i ruajtur traditat, vlerat dhe mbamendjen tonë historike, duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë kombëtare. Nëpërmjet kodifikimit të vlerave të përbashkëta shqiptare, ne duhet ta rilidhim empatinë dhe emancipimin mbarëkombëtar.
Si përfundim, mendoj se askush nuk ka të drejtë ta thyejë shpresën shqiptare/kosovare. Aq më pak nuk kanë të drejtë ta shkatërrojnë as ata që fshihen pas “amerikanizmave”, “europeizmave”, “westernizmave”. Diskursi politik kombëtar shqiptar, domosdoshmërisht, duhet të jetë i ndërtuar në bashkëpunim dhe harmonizim të pro-amerikanizmit, pro-europeianizmit, por aspak nuk është e tolerueshme që “pushtetarët” ushtarakë të UÇK-së të fshihen pas gogolizmave të ndryshëm vetëm për ta shpëtuar jetën e tyre politike dhe jo fatin e Kush po e vret shpresën shqiptare/kosovare?!shqiptarëve.
LDK-ja duhet të rinohet, PDK-ja bashkë me krahun ushtarak të saj në Kosovë, bile edhe me BDI-në e Ali Ahmetit, duhet të pushojnë politikisht. Edhe ligji transcendental thotë se “çdo fillim e ka edhe fundin e tij”. Eksponentët politikë që janë skajshmërisht të kapur në krim e korrupsion, që nuk kanë vizion politik dhe që janë vetëm opsion i klientelizmit politik, thënë ndryshe, nuk mund të jenë opsioni real i përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sepse çdo e keqe e ka edhe fundin e saj. Është pak a shumë si titulli i romanit të Dritëro Agollit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Ndërsa VV-ja, bashkë me partitë shpresëdhënëse shqiptare në Maqedoni, AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët, nëse duan të mbijetojnë politikisht, pas çdo sulmi që do të mund t’u vijë, duhet të rezistojnë që të triumfojnë.