Ballina Autorë Opinione Kush janë armiqtë e demokracisë?

Kush janë armiqtë e demokracisë?

Latif Mustafa

Ato që mund ta shpëtojnë interesin publik janë qytetarët aktiv dhe militantët të cilët militojnë intelektualisht për të mirën publike, veç si të tillë mund të përmbushim idealet e demokracisë. Qytetari aktiv së bashku me militantët e vërtetë dhe të formësuar intelektualisht mund ta ndryshojë realitetin e demokracive të brishta, për t’i shndërruar ato nga demokracitë minimale në demokraci politike

Nga Latif MUSTAFA

Më 15 shtator është dita e ndërkombëtare e demokracisë. Kjo ditë, siç mund të jenë edhe ditët tjera të vitit normalisht, mund të jetë një moment i mirë për të reflektuar rreth demokracisë në vend dhe gjetiu, tani më kur kemi shkelur në dekadën e katërt të post-socializmit. Demokracia, më shumë se sa një mekanizëm qeverisjeje, do të duhej të diskutohej edhe si frymë dhe ideal i papërfunduar. Mungesa e debatit rreth demokracisë është edhe mungesë e shqyrtimeve rreth tipologjisë së qytetarit në sisteme demokratike. Demokracia është angazhim publik dhe identiteti dhe përkatësia politike e qytetarit.

Qytetar quhet individi i cili është i lirë dhe i aftë të merr qeverisje. Qeverisja është funksionimi aktiv i një shteti. Demokracia, në anën tjetër, është mekanizimi më i efikas në delegimin e legjitimitetit politik nga i qeverisuri tek qeverisja. Qytetaria ndahet në qytetari aktive dhe pasive. Qytetari pasiv është ai i cili angazhimin e tij politik e realizon në saje të votimit të tij në afate ciklike me ç’rast legjitimon një pushtet të caktuar politik; përmbush misionin e demokracisë si përfaqësim dhe mbron parimet dhe ligjet e shtetit. Qytetari aktiv, përpos votimit, është i angazhuar politikisht përmes medieve, shoqërisë civile dhe iniciativave të grupeve jo formale, për të kontribuar në debatin e përgjithshëm shoqëror. Ky qytetar është produkt i njëmendtë i demokracisë. Ai është imazhi i vërtetë i demokracisë dhe përkatësisë qytetare.

Deri këtu gjithçka tingëllon bukur. Në shtetet demokratike, gjegjësisht, demokracitë përfaqësuese kanë krijuar partitë politike të cilat garojnë në zgjedhje dhe vihen në “gjueti” të vullneteve politike dhe votës së qytetarit pasiv, i cili ky i fundit siç ndodh rëndom nuk interesohet shumë për çështje publike. Partitë politike, të vetëdijshme për dobitë e nomenklaturës së pushtetit, fuqisë politike që të ofron dhe mekanizimin e dhunës legjitime që veç shteti e disponon, bëjnë një garë të ashpër. Në mungesë të ideve të mirëfillta për progres shoqëror dhe plotësimin e idealeve të demokracisë, ato kanë zbuluar teknikat e manipulimit të opinioni publik. Këto teknika janë një lloj amalgame dhe konvergjim i propagandës, indoktrinimit, reklamës , teknika këto të cilat vihen në një gjah të butë dhe subtil ndaj vullneteve naive. Këto metoda rëndojnë edhe më tepër pafuqishmërinë e qytetarit të lirë i cili përpiqet me naivitet të ndikojë në qeverisjen dhe hapësirën publike. Pas një kohe relativisht të gjatë, mbase më në fund, arrinë ta kuptojë dhe honeps faktin se bindjet dhe opinionet e tij janë thjeshtë produkt i një sistemi më të gjerë manipulimi, dhe kritikës së tij publike. Sistemi anticipon në bindjet tona.
Deri këtu asgjë e re. Edhe në demokracitë liberale apo në demokracitë më të zhvilluara perëndimore, metodat e manipulimit dhe krijimit të opinionit publik tashmë janë një realitet i depërtueshëm në çdo pore të shoqërisë. Nivelet e manipulimit dallojnë. Në vendet perëndimore nivelet e manipulimit edhe pse janë të sofistikuara megjithatë, intelektualë dhe regjisorë përmes librit dhe filmit përpiqen që t’i dekonstruktojnë narracionet politike të sistemit. Përkitazi me demokracitë liberale të shteteve perëndimore të cilat janë demokraci me legjitimitet më të plotë politik, demokracitë e Ballkanit janë demokraci të brishta dhe minimale, ku përqindja e daljes në zgjedhje është nën 50%. Zëri i intelektualëve është po thuaj se i padëgjuar qoftë nga kakofonia e idiotëve që kanë pushtuar skenën e debatit, qoftë dhe zhurmat e interesave të ulëta meskine në shpirtin e tyre. Njëjtësimi i pushtetit politik me dijen ka shkërmoqur legjitimitetin e njeriut të ditur. I dijshëm është veç i pushtetshmi. Ky fregjilitet demokratik i etabluar përmes partive politike të tranzicionit ka krijuar edhe dy nënshtresa të komunitetit politik. Militantin dhe sektarin.

Parti politike do të thotë organizim i pjesshëm politik. Përmes mekanizmit të votës një parti politike, programin dhe ambiciet e saja për shoqërinë dhe pushtetin, synon t’i bëjë universale dhe të gjithë pranueshme. Organizimi i saj është i dyanshëm. Përpjekja për ta bindur opinionin e përgjithshëm publik dhe beteja me oponentët e jashtëm politik; si dhe ajo më e vështira, bindja dhe disiplinimi i anëtarëve të brendshëm politik. Beteja e brendshme gjithmonë është më e rënda, më furishmja dhe më ashpra. Fenomeni i tillë quhet militantizëm politik.

Po çfarë në të vërtetë është militanti? Militanti është shpirti i partisë. Motivi i liderit të partisë janë militantët e saj. Militanti militon për një ide dhe qëndrim politik. Termi militant rrejt nga gjuha latine milia – rrugë, milje. Militanti është bashkudhëtar. Idealet e tij janë përjetshme. Ai ëndërron guximshëm dhe me të gjithë përpjekjen dhe vullnetin e tij rrugëton historikisht drejt idealit të paracaktuar. Militanti është më shumë i vullnetshëm se sa i arsyeshëm. Ai nuk synon një ndryshim progresiv dhe hap pas hapi siç synon qytetari i thjeshtë, ai synon ndryshimet e mëdha radikale dhe për këtë ai e harxhon një jetë të tërë. Bindja dhe të bindurit ndaj hierarkisë partiake është niveli më i lartë etik i tij. Këso lloj militantësh, rrallë mund të gjenden! Militantizmi i vërtetë politik nuk është armik i demokracisë dhe i qytetarit që i nënshtrohet ligjit, detyrës dhe obligimit. Ideali i qytetarit dhe militantit, në fund të fundit, është e mira publike, interesi publik. Militanti i sotëm i përngjet pak a shumë servilit dhe oportunistit meskin të partisë, i cili bën një luftë edhe më të ashpër se militanti i vërtetë për disa leverdi të vogla dhe të poshtra materiale. Ky oportunist meskin është sektari.

Të jesh sektar do të thotë të ndjekësh “lider” të vegjël brenda partisë politike, të cilët lëre më që shkërmoqin të gjitha mekanizmat e legjitimitetit të brendshëm politik brenda partisë, por në saje të grykësisë së tyre, besimit dogmatik në të “vërtetën” e tyre politike, ato nuk hezitojnë të minojnë çdo interes publik dhe partiak. Sektari është ndjekës dogmatik, nganjëherë i përngjet militantit në veprim, po në bindje dallojnë thellësisht nga militanti. Militanti e shkrinë veten për partinë. Sektari e shkrinë partinë për veten dhe sektin. Partia është interes brenda një interesi më të madh publik por që këto dy interesa konvergjojnë në shumë pika dhe interesi publik bëhet edhe interes i partisë dhe anasjelltas. Kurse interesi i sektit politik nuk është as pjesë e interesit publik, e as pjesë e interesit partiak. Sektari, ngushëllohet me idenë e pamundësisë së tjetrit për të kuptuar idealin e tij dhe mburret me “epërsinë” morale të tij. Persekutimi moral është arma e tij më e fortë. Linçimi publik është praktika e tij!

Armiqtë e demokracisë para se të jenë oligarkët financiar janë sektarët politik. Ato lëkundin themelet e çdo legjitimiteti, bjerrin identitetin politik të qytetarit dhe përkatësinë e tyre politike. Ato që mund ta shpëtojnë interesin publik janë qytetarët aktiv dhe militantët të cilët militojnë intelektualisht për të mirën publike, veç si të tillë mund të përmbushim idealet e demokracisë. Qytetari aktiv së bashku me militantët e vërtetë dhe të formësuar intelektualisht mund ta ndryshojë realitetin e demokracive të brishta, për t’i shndërruar ato nga demokracitë minimale në demokraci politike. /koha.mk

Exit mobile version