Ballina Lajmet Kosovë Kush ishte Adem Jashari? (Foto)

Kush ishte Adem Jashari? (Foto)

Dita e 28 nëntorit përveç se është dita e shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë është edhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jasharit. Ndërsa, për ju kemi sjellur një historik të shkurtër të jetës dhe veprës së tij.

Adem Jashari lindi në rajonin e Prekazit të Drenicës në Kosovë, më 28 nëntor 1955 Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së.

Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikat në historinë e luftërave. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”. Titullin “Hero i Kosovës” u dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës.

Jeta

Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup kryengritës të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajtë i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-quonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve e tij kundër Forcave Federale ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Jasharajt me shokët, thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe të policisë. Adem Jashari në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale më 22 janar të vitit 1998, por me trimërinë e tij e përballoi sulmin me sukses.

Sulmi mbi Prekazin

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë.

Forcat policore filluan sulmin pa asnjë paralajmrim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsejt pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. Dhe disa anëtarë të familjes Jashari ende jetojnë.

Pas vdekjes

Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Kështu shumë prej tyre veshën bluza me fotografinë e tij pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 shkurt të vitit 2008. Mbishkrimi në bluzat ishte ″Bac u kry”, duke iu referuar shprehjes së përdorur gjatë homazheve në varrin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së Adem Jasharit.

3-71

Exit mobile version