Kush është Salih Mustafa, i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale

Salih Mustafa, i njohur si komandat “Cali”, është i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale. Të enjten, Specialja konfirmoi se ndaj tij është ngritur aktakuzë, por duke mos specifikuar për cilën vepër dyshohet.

Mustafa kishte shërbyer gjatë në organizim të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës shërbeu edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si shef i inteligjencës.

Në vitin 1988 Mustafa ishte bërë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim. Pesë vjet më pas, ishte arrestuar. Dënimin me burg e mbajti deri në vitin 1997. Pas përfundimit të dënimit, Mustafa ishte angazhuar në shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja “BIA” deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Të enjten Specialja njoftoi se ndaj “Calit” është ngritur aktakuzë dhe se i njëjti po dërgohet në Hagë. Ai ishte intervistuar në nëntor të vitit të shkuar.