Kush bën pjesë në partinë e të dorëhequrve nga Vetëvendosje (Emrat)

Nga burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje RTK ka siguruar dokumente që paraqesin ndarjen në këtë parti tashmë me emra dhe mbiemra, ndonëse zyrtarisht ende nuk ka ndonjë deklarim. Në mesin e atyre që pritet të largohen është edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Grupi i të dorëhequrve në VV pritet që shpejt të zyrtarizojë formimin e një subjekti të ri politik. Kështu thonë burime të televizionit publik të Kosovës, në krye të së cilës mund të jenë Shpend Ahmeti, Visar Ymeri dhe të tjera figura të rëndësishme.

Në një dokument i publikuar nga RTK pohohet ndarja e VV-së dhe krijimi i një subjekti të ri politik e po ashtu kalkulohet edhe ndarja e pushtetit të tanishëm.

17 deputetë në Kuvendin e Kosovës do t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje e 15 krahu i të dorëhequrve nga kjo parti me në krye Visar Ymerin e Dardan Molliqajn.

Në këtë dokument janë të shkruar edhe inicialet e partisë së re që veten planifikojnë ta quajnë Socialdemokrat.

Emri i kryetarit aktual të Prishtinës Shpend Ahmeti figuron i pari në këtë listë e që janë grupi i të pakënaqurve në Vetëvendosje.

Renditja është bazuar në votat e secilit që ka fituar në zgjedhjet e fundit nacionale në vend e që Shpend Ahmeti ka 76.020 vota, transmeton Express.

I dyti renditet ish-sekretari i VV-së Dardan Molliqaj me 49.026 vota i pasuar nga ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri.