Kurz: Lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë në mënyrë të vendosur

Kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz lidhur me sulmin në kryeqytetin Vjenë tha se “Policia po zhvillon një luftë të vendosur kundër autorëve të këtij sulmi të shëmtuar terrorist”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale, Kurz bëri të ditur se vendi po përjeton orë të vështira dhe ka shprehur falënderime për përpjekjet që forcat e sigurisë kanë treguar gjatë kësaj kohe.

“Policia jonë po zhvillon një luftë të vendosur kundër autorëve të këtij sulmi të shëmtuar terrorist”, shkroi Kurz në postimin e tij lidhur me sulmin duke bërë të ditur se një nga agresorët është neutralizuar dhe se lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë në mënyrë të vendosur.

Pasi ka falënderuar për mesazhet solidarizuese të ardhura nga komuniteti ndërkombëtar, Kurz shprehu ngushëllime për familjarët që kanë humbur të afërmit dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ndërkohë Ministria e Brendshme njoftoi se në përleshjet e armatosura mes forcave të sigurisë dhe personave të paidentifikuar në Vjenë, humbën jetën 3 persona dhe se vazhdojnë punimet për kapjen e disa agresorëve.

Kujtojmë se të paktën 3 persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën në sulmin e mbrëmshëm terrorist në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë.

Dy nga viktimat janë meshkuj dhe e treta është grua, ndërsa në mesin e të plagosurve është edhe një polic, bëri të ditur Departamenti i Policisë së Vjenës përmes një postimi në Twitter.

“Sulmi është kryer nga të paktën një i dyshuar i cili u qëllua dhe u vra nga oficerët”, thonë nga policia.

“Sulmuesi ishte simpatizant i grupit terrorist DEASH”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer, në një konferencë për media në Vjenë.