Kurtulmuş: Forcimi dhe zhvillimi i Turqisë do të thotë forcim edhe i vendeve të Ballkanit

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, Numan Kurtulmuş tha se marrëdhëniet e Türkiyes me vendet e Ballkanit nuk është vetëm një marrëdhënie zyrtare midis shtetesh, por marrëdhënie vëllazërore mes popujve, duke theksuar se forcimi i Türkiyes në të njëjtën kohë do të thotë edhe forcim i vendeve të Ballkanit, raporton Anadolu.

Kurtulmuş, i cili ndodhet për vizitë në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në një program në shkollën “Maarif” në Tetovë me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në vend.

Në program morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kryetari i Partisë Demokratike Turke në Maqedoninë e Veriut, njëherësh deputet, Beycan İlyas, deputeti Salih Murat, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, politikanë, akademikë, përfaqësues të institucioneve vendase dhe turke në vend dhe mysafirë të tjerë.

Në fjalën e tij, Kurtulmuş shprehu kënaqësi mbi punën dhe suksesin e shkollës së Fondacionit “Maarif” në vend. Ai tha se Türkiye ka mbështetur vendet e Ballkanit që ato të kenë paqe dhe stabilitet.

“Marrëdhëniet midis rajonit të Ballkanit dhe Türkiyes nuk janë vetëm marrëdhënie zyrtare midis shtetesh. Marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit dhe Türkiyes janë marrëdhënie të vëllazërisë dhe miqësisë midis popujve”, tha kryeparlamentari turk.

Kurtulmuş tha se midis Türkiyes dhe popujve të Ballkanit, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare, ekzistojnë ura të lashta miqësore dhe shpirtërore që burojnë nga historia.

Ai deklaroi se nëpërmjet institucioneve turke që zbatojnë “diplomacinë kulturore”, Türkiye ka realizuar punime që do të forcojnë më tutje këto marrëdhënie, duke shtuar se nëpërmjet projekteve të ndryshme, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), kanë ofruar mbështetje për zhvillimin shoqëror.

Ai po ashtu përmendi edhe Institutin “Yunus Emre” dhe Shkollat “Maarif” në këtë drejtim. “Zemrat tona dëshirojnë që edhe në të ardhmen, këto lidhje t’i vazhdojmë duke i forcuar edhe më tej”, shtoi Kurtulmuş.

Kryetari i Parlamentit turk theksoi se Türkiye do të jetë një nga vendet me ndikim në periudhën e ardhshme, duke shtuar se: “Forcimi dhe zhvillimi i Türkiyes do të thotë zhvillim së bashku me fqinjët dhe miqtë e saj. Forcimi i Türkiyes pa dyshim do të thotë forcim i Ballkanit”.

Kurtulmuş arriti të shtunën në Shkup për një vizitë treditore së bashku me një delegacion në të cilin bëjnë pjesë nënkryetari i Grupit Parlametar të AK Partisë, Bahadır Yenişehirlioğlu, kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i AK Partisë Ahmet Kılıç, deputetët e AK Partisë, Kayhan Türkmenoğlu dhe Yusuf Ahlatcı, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i CHP-së Vecdi Gündoğdu, deputeti i MHP-së, Fevzi Zırhlıoğlu, deputeti i Partisë Saadet, Mustafa Bilici dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.

Ai në Shkup u takua me homologun e tij Afrim Gashi, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova ndërsa po ashtu mori pjesë në një pritje solemne me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.

Të shtunën, komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut shënoi Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në shkollën fillore “Tefeyyüz” në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut.