Kurti: Vullneti i madh i qytetarëve për ndryshim të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar mundësinë e mos kandidimit të tij për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit për shkak të aktvendimit të Kushtetueses, që në lista zgjedhore të mos ketë persona që janë të dënuar në tri vjetët e kaluara.

Ai para mediave ka thënë shkurt se institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij.

“Ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshim besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit. Ju e dini se unë jam bartës i listës edhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së”, ka thënë Kurti.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka njoftuar sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se në listat e partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë 47 kandidatë të cilët janë shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.