Kurti uron Turqinë në 100-vjetorin e pavarësisë së saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të Ambasadës së Turqisë në Kosovë, ka marrë pjesë në pritjen për nder të 100-vjetorit të themelimit të Turiqisë.

Kurti ka shprehur urimet e tij ambasadorit Angılı, presidentit të Republikës së Turqisë, Erdogan dhe gjithë popullit të Turqisë.

“Në këtë ditë të veçantë, ai tha se duhet t’i kushtojmë një nderim të veçantë figures së Mustafa Kemal Ataturk, udhëheqja vizionare e të cilit dhe përkushtimi ndaj modernizimit dhe demokratizimit kanë lënë një gjurmë të përhershme në historinë e Turqisë. Trashëgimia e Ataturkut është ajo e modernitetit, sekularizmit dhe përparimit, shtoi kryeministri”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri është shprehur se Kosova dhe Turqia ndajnë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm.

“Ky shkëmbim i thellë idesh, traditash dhe përvojash, përgjatë shumë brezave, vazhdon edhe sot të ushqejë marrëdhënien tonë, duke krijuar lidhje të pathyeshme miqësie”, tha Kurti.

Më tej, sipas njoftimit, kryeministri veçoi se mbështetja e palëkundur e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës vlerësohet thellësisht nga populli i Kosovës.

“Në një kohë kur siguria e vendit tonë përballet me kërcënimin e agresionit serb, bashkëpunimi ynë me Turqinë në fushën e mbrojtjes ka marrë një rëndësi të re. Në veçanti, ne jemi mirënjohës për gatishmërinë e Turqisë për të furnizuar ushtrinë tonë me dronët Bayraktar. Ushtria jonë ka bërë të më mirën e mundshme për t’i ardhur në ndihmë gjithashtu popullit turk, duke dërguar menjëherë një mision kërkim-shpëtim në Hatay pas tërmetit shkatërrues atje në fillim të këtij viti”, ka deklaruar Kurti