Kurti ua dërgon shkresën veteranëve, propozon ligj të ri për verifikimin e pjesëmarrësve në luftë

Pas më shumë se një muaji pritje, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pranuar propozimin nga kryeministri Albin Kurti.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kreu i ekzekutivit ka propozuar që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.

Në propozimin e Kurtit thuhet se hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit duhet të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.

Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, ai ka propozuar përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.

“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, tha Kryeziu.

Tutje, ai shtoi se alternativë ndaj këtij propozimi mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve.

“Ky ligj në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, u shpreh tutje ai.

Pranimin e shkresës e konfirmoi për Telegrafin edhe Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ai tha se letrën e kanë pranuar dje, por se ende nuk ka diskutuar me strukturat nëse do ta pranojnë propozimin e ofruar.

“Letrën e kemi marrë dje dhe do ta shqyrtojmë e pastaj do t’i përgjigjemi me shkrim. Do të diskutojmë me organet tona sepse letra është vonuar për një muaj e gjysmë. Aty flitet për një ligj të ri, por derisa të bëhet ai duhet të rritet paga minimale dhe krahas kësaj edhe pensioni i veteranëve”, u shpreh Klinaku.

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Veteranët e UÇK-së më 16 qershor të këtij viti kanë mbajtur protestë gjithëpopullore në shenjë pakënaqësie për miratimin e Ligjit për pagën minimale dhe mospërfshirjen e tyre.

Një ditë pas protestës, përfaqësuesit e OVL e UÇK-së u takuan me kryeministrin Kurti, për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së lartësisë së pensionit. Nga ky i fundit ata morën premtim se propozimin rreth kësaj çështje do të ua dërgojë me shkrim.