Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e kryeministrit, përcjell lajmi.net
Në letrën e kurtit, thuhet se duke filluar nga 15 Marsi, Qeveria do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar.
“Së këndejmi, duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë seveprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës. Ne poashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”, thuhet mes tjerash në letër.
Kurti po ashtu e ka njoftuar presidentin amerikan edhe për programin qeverisës si dhe për dialogun Kosovë – Serbi.
“Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe të qendrueshme, stabilitet dhe siguri në Ballkan”.
Letra e plotë e Kurtit:
I nderuar Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Shkelqësia juaj,
Po jua drejtoj këtë letër që t’ju informoj për programin qeverisës dhe për qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, dua t’ju falenderoj për përkrahjen tuaj të vazhdueshme për Republikën e Kosovës, si dhe për angazhimin tuaj drejt krijimit të mundësive ekonomike, sigurisë, dhe paqes së qëndrueshme në Ballkan. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë interesin personal që keni treguar për të ardhmen e vendit dhe rajonint tonë.
Programi qeverisës i qeverisë së re të Kosovës është i fokusuar dhe përqëndruar në dy shtylla kryesore. E para konsiston në zotimin tonë për të luftuar në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shtylla e dytë, si prioritiet kryesor, ka rritjen ekonomike, zgjerimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës. Këto dy procese janë reciprokisht të ndërlidhura, ndaj dhe ne e mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet tonë për zbatuar qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe rritjen e mundësive ekonomike për popullin e Kosovës.
Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe të qendrueshme, stabilitet dhe siguri në Ballkan.
Së këndejmi, duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë seveprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës. Ne poashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen.
Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër, udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në Bashkimin Europian, për ta çuar përpara këtë proces .
Qeveria ime i sheh marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie me rëndësinë më të lartë strategjike për vendinn tonë, si aleancë që është e bazuar në vlera dhe interesa thellësisht të përbashkëta. Administrata juaj tashmë ka pasur ndikim të madh pozitiv në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë energji të reja dhe zbatueshmëri në zgjidhjen e problemeve, gjë që ne e mirëpresim jashtëzakonisht shumë. Mezi presim ta thellojmë partneritetin dhe të punojmë së bashku me Shtetet e Bashkuara në shtimin e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e sigurisë rajonale, shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për çështjet e tjera.
Sinqerisht, Albin Kurti