Kurti: Thaçi fshehu marrëveshjen, organet e drejtësisë të merren me të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka deklaruar se tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sa ishte në krye të Qeverisë e kishte fshehur marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2013. Ai ka kërkuar që organet e drejtësisë të merren me të.

“Dje pasdite ia kam nisur një letër zonjës Vjosa Osmani, presidentit të vendit dhe kryeprokurorit, lidhur me një marrëveshje sekrete të nënshkruar në vitin 2013. Atë ditë nuk ishte një marrëveshje në Bruksel por ishin dy, njëra nga Thaçi dhe Daçiq dhe tjetra që ishte zotim i njëanshëm i Thaçit.

Për neve është shumë e rëndësishme që të marrim vesh se kush e ka kërkuar një gjë të tillë, nuk besojmë që e ka kërkuar Brukseli, mund ta ketë kërkuar Serbia, është një gjë që duhet të shqyrtohet”, tha Kurti.

“Në njërën anë e kemi ditëlindjen e simbolit të rezistencës, Adem Demaçi, dhe aktivistit tonë që u mbyt në burg, Astrit Dehari.

Para se të shkojmë në Konferencën e Mynihut jam përpjekur që ta takoj Thaçin, edhe më tej jam i interesuar që të takohem me të në mënyrë që në politikën e jashtme të mos jemi kakofoni zërash”, shtoi ai.

Kryeministri tha se ai do të udhëheqë me dialogun Kosovë – Serbi, mirëpo, ka kërkuar që të bashkëpunojnë për politikën e jashtme edhe me presidentin e vendit.

“Qeveria e re ka dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, dialogun me Serbinë do ta përgatisim mirë, por, atë e udhëheq unë si kryeministër, veçse politika e jashtme nuk është vetëm Serbia.

Duhet të jemi njëzëri në arenën ndërkombëtare me presidentin dhe jo vetëm, ky shkëmbim i letrave sipas opinionit ligjor të zyrës së kryeministër paraqet marrëveshje ndërkombëtare duke u bazuar në konventën e Vjenës për të drejtën e traktateve, fshehja e një marrëveshje të tillë të datës 13 prill, konsiderojmë se është shkelje flagrante.

Dua ta theksoj qëndrimin tonë për partneritet dhe Aleancë të pashkëputur me KFOR-in, nesër në mëngjes kam takim me komandantin e KFOR-it.

Shqetësimi ynë ka të bëjë me një zotim të njëanshëm të tash presidentit tonë”, ka thënë ai.