Ballina Lajmet Kosovë Kurti takon O’Brienin e Lajçakun: Marrëveshja Bazike dhe Aneksi duhet të zbatohen...

Kurti takon O’Brienin e Lajçakun: Marrëveshja Bazike dhe Aneksi duhet të zbatohen të plota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në New York, ka takuar ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se gjatë takimit me ta, Kurti ka ritheksuar edhe njëherë përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, qe sipas tij, duhet të zbatohet e plotë.

“Diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në vend, krahas atyre në lidhje me procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëpunimit rajonal në prag të samitit të radhës të Procesit të Berlinit, që do të shënojë gjithashtu 10-vjetorin jubilar të këtij procesi të rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri ndër të tjera theksoi së Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar maksimalisht edhe në vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj pa dallim dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë në të cilin respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ligjit i Republikës. “ – thuhet në komunikatë.

“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë.” – thuhet më tej.

Exit mobile version