Kurti takon ambasadorin turk në Kosovë

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, së bashku me tre deputetet e LVV-së që janë anëtare në Grupin e Miqësisë Kosovë-Turqi, Labinotë Demi Murtezi,  Yllza Hoti, dhe  Fjolla Ujkani, priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë,  Çağrı Sakar, dhe Sekretaren e Tretë në ambasadën turke, Dilara Köseoğlu.

Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit të deritanishëm mes Kosovës e Turqisë dhe gatishmërisë së dyanshme për vazhdimin e një bashkëpunimi të tillë. Z. Sakar përmendi rëndësinë e solidaritetit shoqëror, shtetëror e ndërshtetëror në këto kohë të rënda të përballjes me pandeminë, duke theksuar njëkohësisht situatën e vështirë politike në Kosovë.
Kryetari Kurti shprehu falënderimin për përkrahjen dhe ndihmën e Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës gjatë sfidës së vazhdueshme të ballafaqimit me pandeminë. Në këtë takim, u fol edhe për situatën politike në Kosovë pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese e në prag të zgjedhjeve të reja. 

Të dy palët u shprehën të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin dhe takimet.