Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, ndërsa Kurti ka thënë se është me rëndësi të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të këtij procesi, është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti po ashtu ka kërkura që Bosnjë-Hercegovina ta ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në Bosnjë.
“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdar, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Takimi në mëngjesin e të martës u zhvillua në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.