Gjatë qëndrimit të tij në Korenë e Jugut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Japoni i cili mbulon edhe Korenë e Jugut, Sabri Kiçmari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka takuar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.
Në takim u fol për rolin që Ban Ki-moon kishte në procesin e shpalljes Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndërkohë që Kryeministri e njoftoi atë në lidhje me arritjet dhe zhvillimet në Kosovë që prej atëherë, e veçanërisht së fundmi.
Ai tha se në dy vitet e fundit Kosova ka shënuar zhvillim ekonomik dhe progres demokratik, që është njohur dhe vlerësuar edhe nga raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare. Më tutje kryeministri Kurti e ka njoftuar ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për procesin e integrimit të Kosovës në BE, kalimin me sukses të hapit të parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e falënderoi kryeministrin Kurti për takimin dhe vizitën e tij. Ai u shpreh se i gëzohet zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe është i interesuar që në një moment të volitshëm të vizitojë rajonin për të parë nga afër zhvillimet pozitive. Gjatë këtij takimi, z. Ki-moon ka përshkruar edhe rrethanat në OKB përgjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.