Kurti: Starlink në Kosovë, një hap i madh për infrastrukturën digjitale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ardhja e Starlink në Kosovë është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale, si dhe ofrim i mundësive të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Kosovës.

Kurti ka shtuar se Starlink është dëshmuar në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare.

“Starlink tash edhe në Kosovë. Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës. Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.