Kurti qeverisë së re: “Qeveri koti”, nuk do ta bëjë pranim-dorëzimin e detyrës tek një njeri që e kam shkarkuar

“Katër muaj qeverisje e mirë”, e ka quajtur videon ish-kryeministri Albin Kurti me anë të së cilës ka paralajmëruar se nga nesër do ta lirojë zyrën e kryeministrit.

Ai pos të tjerash ka falënderuar siç shprehet: “administratën publike për punën, kabinetin qeveritar për bashkëpunimin, dhe këshilltarët e mi për sygjerimet”, shkruan lajmi.net

Kurti ka thënë se Vetëvendosja është partia më e madhe në Kosovë.

Duke folur për qeverisjen e tij, ai ka thënë se ka zvogëluar kabinetin e pagat e qeveritarëve, ka thënë se ka ndalur ato që i quan “gjakderdhje financiare”, dhe ka folur rreth menaxhimit të koronavirusit.

E pas kësaj, Kurti ka komentuar edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur të papranueshëm.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi Kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar vetën e tyre si Gjykatë”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu ka treguar se nesër nuk do të bëjë pranim-dorëzimin e detyrës, ndërsa qeverinë Hoti e ka quajtur “qeveri Koti”.

“Kjo qeveri është e paligjshme, kjo është qeveria koti, ne jemi qeveria alternative. Nesër nuk do ta bëjë pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranojë atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën, do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, ka thënë Kurti.