Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është takuar sot me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadorin Tomas Szunyog me të cilin ka diskutuar mbi gjendjen politike dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Ai me këtë rast e ka quajtur të rëndësishme që presidenti i ri të zgjidhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor, pasi që sipas tij, qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional.
“Kur nuk kemi keqqeverisje është mos qeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, ambasadori Szunyog nënvizoi rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve, një Kuvendi të aftë për të miratuar ligje, nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, dhe nevojën për avancimin dhe zbatimin e agjendës së MSA-së.
Të dyja palët u pajtuan se është e nevojshme dhe e dobishme që të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin.