Kurti: Presidentit do t’i përgjigjemi në një moment të përshtatshëm

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një statusi në FCB e ka quajtur të panevojshëm angazhimin e presidentit Thaci për krijimin e një qeverie të re.

Ai pretendon se Thaçi me këtë rast bëri shkelje të Kushtetutës, ndërsa bën të ditur se përgjigje rreth mandatarit të ri për kryeministër do t’i kthejë presidentit “në një moment të përshtatshëm”.

Ky është statusi i tij i plotë:

Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë.

Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020!

Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi.