Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur lajm të mirë për qytetarët miratimin nga Kuvendi i Kosovës në lexim të parë Ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale.
Kurti ka thënë se mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale.
“Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po e rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, ka thënë Kurti, përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.
Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale.
Pas miratimit në parim të projektligjit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projektligji do t’u ndihmojë më shumë se 100 mijë punëtorëve, të cilët paguhen më pak se 264 euro.
Projektligjin e pagës minimale nuk e kanë votuar partitë opozitare në Kuvend, LDK dhe AAK, kurse PDK nuk mori pjesë në seancë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po e kundërshton miratimin e Projektligjit për pagën minimale, pasi në të nuk përfshihet edhe kjo kategori, ka reaguar menjëherë pas miratimit në Kuvend.
Në reagimin e saj OVL e UÇK-së thekson se Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale.
Duke kundërshtuar këtë projektligj OVL e UÇK-së ka ftuar protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30.
Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.
Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.