Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës do t’i heqin barrikadat në veri të vendit, po që se KFOR-i nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.
Në një intervistë të realizuar të shtunën për mediumin boshnjak “istraga.ba” e të publikuar të hënën në mbrëmje, Kurti ka thënë se ka ardhur koha që KFOR-i ta dëshmojë veten për çështjen e lirisë së lëvizjes. Kurti ka thënë se i vjen keq që KFOR-i po e shtyn heqjen e barrikadave.
“Por e di se kjo s’mund të zgjasë shumë. Do të kemi një takim me KFOR-in për të sqaruar gjithçka. Dhe nëse KFOR-i s’është në gjendje t’i heqë barrikadat, ose për arsye të panjohura për mua, nuk do t’i heqë, atëherë ne do ta bëjmë këtë”, ka thënë ai duke shtuar se barrikadat kryesisht bllokojnë serbët në veri dhe se janë shkelje e rendit kushtetues e ligjeve të Kosovës.
Deklarata e Kurtit u bë para takimit që ai pati të hënën me krerët e KFOR-it. Në takim u bë thirrje për heqjen e barrikadave, por të martën në mëngjes në veri u shtuan edhe dy të tjera.
“Për 23 vjetët e fundit, KFOR-i ka thënë se qëndron për paqe, siguri dhe për liri të lëvizjes. Epo, tash i duhet ta dëshmojë veten në aksion. Mendoj se ka ardhur koha që ta bëjë këtë. Nëse nuk e dëshmon veten, do të duhet të merremi ne me to”, ka thënë ai.
Kurti ka refuzuar të japë afat kohor për heqjen e barrikadave, por ka thënë se “kjo s’mund të zgjasë për muaj, apo javë”.
Ai ka thënë se sa i përket Kosovës, barrikadat mund të hiqen pa incidente.
Kanë kaluar më shumë se dy javë qëkur disa rrugë në veri të vendit janë bllokuar nga barrikadat e vendosura prej serbëve lokalë, pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, të dyshuar për sulm ndaj Policisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kurti ka komentuar edhe qasjen e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke thënë se “sjellja dhe deklarimet e tij” janë koncesione, të cilat nuk kuptohen nga Beogradi. “Ata s’janë në gjendje të mendojnë se kjo është bujaria e Amerikës”, ka thënë Kurti duke shtuar se “Escobari do ta kuptojë së shpejti se bujaria ndaj Beogradit nuk ia vlen”.