Ballina Lajmet Kosovë Kurti në takim me ministrin e Jashtëm norvegjez: Sot firmosim marrëveshjen për...

Kurti në takim me ministrin e Jashtëm norvegjez: Sot firmosim marrëveshjen për EFTA

Kryeministri, Albin Kurti në ditën e dytë në Davos ka nisur një takim bilateral në margjina të Forumit Ekonomik Botëror me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide.

Kurti ka thënë se sot do të nënshkruhet marrëveshja për EFTA, e cila sipas tij është një arritje e madhe.

“Sot do ta kemi nënshkrimin e marrëveshjes për EFTA e cila është një arritje e madhe. Ne kemi patur rritje të konsiderueshme në katër vitet e fundit, 6 për qind të BPV-së mesatarisht, duke mos shkuar asnjëherë poshtë 4 për qind. Ne duam të vazhdojmë të rritemi por eksportet janë shumë të rëndësishme, e eksporti i të mirave dhe shërbimeve është i përfshirë tashmë në EFTA”, u shpreh kryeministri në fillim të takimit.

Në vijim, kryeministri e falënderoi shtetin e Norvegjisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës e veçanërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e rrugëtimin në procesin e integrimit evropian.

“Palët biseduan edhe rreth sfidave të përbashkëta të sigurisë e adresimit të tyre dhe rëndësisë së bashkërendimit. Kryeministri Kurti theksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, krahas linjëzimit të Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.

Duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Norvegjisë dhe bashkëpunimin e fuqishëm të dyanshëm, kryeministri e falënderoi ministrin Eide për bashkëbisedimin dhe shkëmbimin në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Exit mobile version