Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Sipas komunikatës, gjatë takimit bilateral të delegacioneve është diskutuar për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive, dhe për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar.
Po ashtu thuhet se Kurti ka veçuar nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit.
“Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit. U theksua gjithashtu vlera e shtuar e protokollit dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt më 18 nëntor në Prishtinë, si dhe intensifikimi i punës në realizimin e projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet”, bëhet e ditur në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka falënderuar kryetarin Gashi për vizitën dhe ka thënë se bashkëpunimi parlamentar ndihmon në rritjen dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut/