Kurti: Në KEK ka pasur keqpërdorime edhe në të kaluarën, por nuk janë trajtuar nga prokuroria

Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se edhe në të kaluarën ka pasur keqpërdorime në KEK, por nuk janë trajtuar nga prokuroria.

Ai tha se udhëheqësi e re e KEK-ut pas marrjes së detyrës, ka deponuar fakte dhe dëshmi për keqpërdorimet që kanë ndodhur më parë – por zelli i prokurorisë për tu marrë me çështjen ka qenë zero.

“Është e vërtetë se dje është arrestuar kryeshefi i KEK-ut dhe është në ndalje për 48 orë, ku sistemi i drejtësisë merret më çështjen e tij. Kjo çështja ka fakte dhe ne urojmë dhe shpresojmë që do të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Në anën tjetër është fakt se pati një gëzim opozitare për arrestimin e Krasniqit, por ky është fakt i opozitës dhe nuk është fakt i çështjes”.

“Ne e dimë se në të kaluar ka pasur keqpërdorime marramendëse në KEK, por asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut për këtë vit ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi material për keqpërdorimet që i ka gjetur aty, mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimin e fakteve, dëshmive të keqpërdorimeve të mëhershme ka qenë zero. Ndërsa zelli për tu marrë me Krasniqin është një nivelin maksimal”, ka thënë Kurti në Kuvend.

Ai tha se kjo lidhet me emrin e prokurorit, Blerim Isufaj, i cili sipas tij nuk ka fituar asnjë lëndë në gjykatë deri më tani.

“Unë nuk kam dyshim se që në Prokurorinë e Shtetit dhe në atë sa ma lartë më shumë, ekziston një vullnet negative-politik për Qeverinë. Jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes tonë dhe ndaj pushtetit të ri të dal nga zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat e sollën ndryshimin e madhe në Kosovë. Kjo lidhet më shumë se më askënd tjetër me figurën e prokurorit, Blerim Isufaj. Ky prokuror nuk e ka asnjë rast të fituar në gjykatë”