Kurti në Berlin kërkon që Kosovës t’i jepet statuti i kandidatit për BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Berlin nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Kurti ka thënë se pas këtyre dhjetë viteve siguria e Evropës nuk ka ndryshuar për mirë, raporton teve1.info

“Pavarësisht sfidave të brendshme dhe eksternale, Procesi i Berlinit mbetet një forcë nxitëse për integrimin evropian dhe lidhja që mban të lidhur Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që e njohim dhe e festojmë sot këtu në Berlin”, u shpreh Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për Tregun e Përbashkët Rajonal, ku ka thënë se kjo është një e arritur e madhe e dalë nga Procesi i Berlinit.

“Një momentum i ri është fituar pas kalimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tani mund të avancojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazinë në qendër dhe qytetarët si përfitues të fundit”, është shprehur Kurti.

Kryeministri ka folur dhe për çështjen e lëvizjes me letërnjoftim mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, ku tha se Republika Sprska po refuzon ratifikimin e kësaj marrëveshje, të cilën Kosova e ratifikoi në Kuvend.

Kurti dha edhe një lajm të mirë për qytetarët e Bosnjës, ku tha se nga janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim në Kosovë.

“Unë kam vendosur të përfundoj pritjen. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë unilateral lëvizjen e lirë për mbajtësit e ID-së nga Bosnja dhe Hercegovina”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve në Samitin e Procesit të Berlinit.

“I nderuar kancelar Scholz, në dy muajt e ardhshëm, do të shënojmë dy vjetorin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Ndërsa shpallim se zgjerimi është sërish në agjendë, është koha e duhur që Kosova të marrë statusin e kandidatit zyrtar. Në këto tri vjet e gjysmë kemi pasur një rritje të jashtëzakonshme ekonomike, përparim demokratik dhe stabilitet institucional duke menaxhuar me sukses disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimeve dhe arritjeve të Kosovës gjithashtu konfirmon angazhimin e BE-së për zgjerim dhe vlerat e saj”, deklaroi Kurti.