Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar me takimet e tij me përfaqësues të minoriteteve në përpjekje për sigurimin e shumicës në Kuvendin e ri të Kosovës. Së fundi, Kurti takoi kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, i cili gjithashtu është edhe ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, diskutuan me Krasniqin mbi formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
I pranishëm në takim ishte dhe deputeti e anëtari i IRDK-së, Fridon Lala.
“Nga ana e tij, kryetari i IRDK-së, Elbert Krasniqi konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi të frytshëm si dhe mbështetjen ndaj kryeministrit Kurti në formimin e qeverisë së re”, thuhet në njoftim.
Ky takim ishte pjesë e konsultimeve të cilat po zhvillohen nga kryeministri me partitë politike të minoriteteve.
Paraprakisht, Kurti është takuar edhe me kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi, e cila gjithashtu është edhe zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq i cili është edhe ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë të udhëhequr nga Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025 mori 48 deputetë, ndërsa për formimin e qeverisë së re duhet shumicë e thjeshtë prej 61 votash nga 120 deputetë gjithsej. Nga kjo parti janë shprehur të bindur se tashmë Lëvizja Vetëvendosje i ka siguruar numrat që i duhen për formimin e qeverisë së re.