Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ekonomia e Kosovës gjatë katër viteve të qeverisjes së tij është rritur për 30 për qind.
Kurti ka thënë se viti 2024 do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës si vit në të cilin është arritur 10 miliardshi i ekonomisë.
Ai ka shtuar se janë munduar që këtë rritje ta ndajnë me siç ka thënë ‘kategoritë më në nevojë të Kosovës’.
“Në përgjithësi ekonomia e Kosovës bruto produkti është rritur dhe ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës si vit në të cilin e kemi arritur 10 miliardshin e ekonomisë sonë, me c’rast kjo i bie një rritje prej 46 përqind, afër 50 përqind, krahasuar me vitin 2019 dhe mbi 50 përqind apo saktësisht 52 përqind krahasuar me vitin 2020 dhe rreth 30 përqind krahasuar me vitin 2021, pra sivjet në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021 kemi një rritje të ekonomisë së vendit tonë për rreth 30 përqind, pra ekonomia është rritur për 30 përqind për katër vjet dhe ne jemi përpjekur që këtë rritje ta ndajmë edhe me kategoritë të cilët janë më së shumti në nevojë në vendin tonë: fëmijët, nënat, pensionistët, studentët, por gjithashtu edhe me bizneset”, ka thënë ai në konferencën vjetore, ku u shpalos mbështetja e bizneseve gjatë vitit 2024 dhe planet për vitin 2025.