Kurti: Kriminelët dhe terroristët që e kanë shkaktuar sulmin do të përballen me ligjin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot vendin ku ka ndodhur incidenti dhe sulmi me eksploziv ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Kreu i Qeverisë ka thënë se Policia ka zhvilluar bastisje dhe se ka persona të arrestuar, dëshmi e prova materiale.

Kryeministri ka thënë se të gjithë kriminelët dhe terroristët që e kanë shkaktuar sulmin do të përballen me ligjin e Kosovës.

Ai ka treguar gjithashtu se është arritur sanim i pjesshëm i dëmtimit të kanalit.

“Kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin. Jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve të ujit të kanalit, që e bën edhe ftohjen e elektranave dhe furnizimin me ujë. Policia po i zhvillon hetimet, ka bastisje dhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë dhe ligjin e Republikës demokratike të Kosovës”, ka thënë kryeministri./