Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje.
Ai këtë deklaratë e bëri në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ku prezentë është kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinjë, miq dhe parterë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë e cili është çdo herë e në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve dhe bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut deri me tani kanë nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume të cilat kanë forcuar më shumë marrëdhëniet në mes të dy vendeve.
Me tej, kryeministri tha se do të nënshkruhen edhe dy memorandume dhe një protokoll në fusha të rëndësishme siç janë :arsimi, energjia dhe lëvizja e lirë.
“Takimi i sotëm ka edhe një rëndësi tjetër simbolike, pasi që përkon me 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve tona. Gjatë këtyre viteve kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume të cilat na kanë ofruar edhe më shumë me njëri –tjetrin. Por ajo ku duhet të theksojmë më shumë zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë. Sot këtë progres do ta avancojmë tutje duke i nënshkruar edhe dy memorandume dhe një protokoll në fushë të rëndësishme, sikurse energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se një nga rezultatet kryesore të takimit të sotshëm do të jetë nënshkrimi i protokollit teknik që del nga marrëveshja për kalime të përbashkëta kufitare.
“Duke filluar nga janari i vitit 2025, në dy pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë, do të zbatohet modeli ‘hyrje – hyrje’, ku zyrtarët tanë policor do të punojnë së bashku në një ndërtesë. Ky bashkëpunim do të reduktojë kohën e pritjes në kufi dhe do të lehtësojë lirinë e lirë të qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe investimet që priten të bëhen në infrastrukturën kufitare, përkatësisht përfundimin e ndërtimit të dhjetë kilometrave të mbetura të autostradës nga Bllaca në Shkup. Gjithashtu ka shtuar ndërtimin e tunelit që lidh Prizrenin me Tetovën.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut po mbajnë sot mbledhje të përbashkët në Prishtinë.
Nënshkrimi i marrëveshjeve të parapara pritet të bëhet pas takimit. Kurti dhe Mickoski do ta mbajnë më pas edhe një konferencë për media.