Ballina Lajmet Kosovë Kurti kërkon prezencën e vëzhguesve të BE-së në komunat me shumicë serbe

Kurti kërkon prezencën e vëzhguesve të BE-së në komunat me shumicë serbe

Për të diskutuar për procesin zgjedhor me rastin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Lukas Mandl.

Siç theksohet në komunikatën qeveritare, Mandl, i cili njëherësh është eurodeputet austriak dhe themelues dhe president i Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, u shpreh i lumtur që do të qëndrojë në Republikën e Kosovës edhe me përgjegjësinë e Shefit të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve. Ai u njoftua rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara parlamentare në Kosovë, organizimi i të cilave sikurse ato lokale të muajit të ardhshëm do të bëhet në situatë pandemie.

Kryeministri Kurti tha se zgjedhjet e kaluara parlamentare,  përveçse ishin të lira, demokratike dhe fer, ishin shembull i organizimit në kuptimin e përgatitjeve të tyre dhe disiplinës organizative për zbatimin e masave kundër pandemisë COVID-19.

Megjithëkëtë, duke pas parasysh përvojat në zgjedhjet paraprake dhe mësimet që duhet të nxjerrim nga ato, kryeministri Kurti e vlerësoi të rëndësishëm praninë e misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve. Kjo prani është sidomos e rëndësishme në komunat e banuara me shumicë lokale serbe, me theks në ato në veri të vendit, ku siç ka evidentuar edhe raporti i ekspertëve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 14 shkurtit, banorët lokalë dhe përfaqësuesit e subjekteve tjera lokale serbe, përveç Listës Serbe, janë ndjerë të frikësuar për shkak të presion dhe intimidimit që kanë përjetuar në zgjedhjet e kaluara.

Të pranishëm në takim ishin edhe dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi dhe Alim Rama.

 

Exit mobile version