Ballina Lajmet Kosovë Kurti kërkon nga Zvicra mbështetje për anëtarësim në KiE dhe BE

Kurti kërkon nga Zvicra mbështetje për anëtarësim në KiE dhe BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ishte i ftuar për një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.

I pari i Qeverisë tha se Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie të veçantë e cila e tejkalon diplomacinë dhe është e pasuruar nga lidhjet e thella njerëzore. Për shumë shqiptarë, Zvicra është shtëpia e dytë dhe për gjeneratën e dytë dhe të tretë të shqiptarëve atje, është shtëpia e tyre dhe vendi ku ata ndërtojnë shpresave dhe ëndrrat e tyre, shtoi më tej.

Tutje, ai foli për progresin e vendit viteve të fundit në rrafshin ekonomik, masat e punësimit dhe uljen e papunësisë nga 25.8% në 10.7%, për përparimin e bërë në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e sundimit të ligjit, dhe përmirësimin në respektimin e të lirive civile dhe të drejtave politike.

“Në adresimin e tij fillestar, kryeministri Kurti trajtoi edhe raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ai elaboroi zhvillimet në këtë proces, refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj të zbatimit dhe nënvizoi shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë të cilat kulmuan me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Brnabiç dërguar Bashkimit Evropian në të cilën thuhet se Serbia nuk do të respektojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që praktikisht nënkupton tërheqje nga Marrëveshja Bazike dhe parimet themelore të saj.

Unë e parashoh një Evropë ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht si dhe në aspektin shoqëror. Një Evropë mjaftueshëm e fortë për t’i rezistuar presioneve të jashtme, në mbrojtje të të gjithë qytetarëve të saj. Një Evropë ku të rinjtë tanë shohin një të ardhme në të cilën mund të besojnë dhe ku mund të përmbushin ëndrrat e tyre. Vitet në vijim do të jenë vendimtare në përcaktimin e ritmit të integrimit në BE”, u shpreh kryeministri.

Madje, ai tha se strategjia e politikës së jashtme të Zvicrës për vitin 2024-2027, reflekton nga vlerat dhe objektivat që ka edhe Kosova.

“Strategjia e Politikës së Jashtme të Zvicrës 2024-2027 reflekton shumë nga vlerat dhe objektivat që ka edhe Kosova. Ruajtja e sigurisë, prosperitetit dhe pavarësisë përball kushteve sfiduese globale, prioritizimi i mbështetjes për një Evropë të qëndrueshme, promovimi i multilateralizmit dhe ndjekja e një politike aktive paqësore – janë parime që përputhen me vizionin tonë për Ballkanin Perëndimor”, theksoi Kurti.

Në fund, kryeministri gjithashtu shprehu falënderimin e tij ndaj gjithë atyre që kanë avokuar dhe vazhdojnë të avokojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata në të cilat nuk është ende anëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO./

Exit mobile version