Ballina Lajmet Kosovë Kurti kërkon nga deputetët ta votojnë buxhetin: Do të përfitojnë bizneset dhe...

Kurti kërkon nga deputetët ta votojnë buxhetin: Do të përfitojnë bizneset dhe ekonomia

Kryeministri Albin Kurti derisa ka bërë thirrje për deputetët të votojnë pro projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin për vitin 2025, ka thënë se me këtë buxhet familja shihet si tërësi dhe njësi, ndërsa përfitime do të kenë edhe bizneset dhe ekonomia.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare që po mbahet me vetëm një pikë në rend dite, Kurti ka thënë se me këtë buxhet prioritet është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.

“Me këtë buxhet, të nderuar deputetë, përfitojnë edhe bizneset edhe ekonomia. Së pari përfitojnë nga rritja e fuqisë blerëse të familjes. Nga 12 miliardë euro sa ishte para qeverisë tonë për vitin 2024 pritet të kalojë 24 miliardë qarkullim. Ky buxhet parasheh mbështetje të buxheteve edhe për qasje në financa. Kjo mbështetje vjen si vijim i mbështetjes së realizuar gjatë viteve që lamë pas. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme pritet të vijë nga konsumi. Konsumi do të rritet nga rritja e pensioneve, rritja e shtesave të fëmijëve jo çfarëdo rritje, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit, si dhe rritja e pagës minimale që ndodh pas më shumë se një dekadë stagnimi. Me këtë buxhet e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ju ftoj edhe ta votoni buxhetin 2025”, ka thënë ai.

Ai tutje ka lavdëruar punën përgjatë qeverisjes së tij 4-vjeçare, duke thënë se ka pasur rritje në mënyrë konsistente në numrin e të punësuarve.

“Për katër vjet numri i të punësuarve është rritur në mënyrë konsistente, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë qeveri më herët. 78 mijë vende pune po arrin më shumë se sa kur e kemi marrë mandatin në pranverën e 2021-s. Në qeverisjet e kaluara, qoftë edhe kriza më e vogël e jashtme e ngadalësonte rritjen ekonomike. Të hyrat buxhetore kanë vazhduar performancën e tyre tejet të kënaqshme, kanë shënuar rritje të konsiderueshme”, ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se prioritete të rëndësishme pritet të jën autostradat Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan dhe Prizren-Tetovë.

Ai ka thënë se 100 milionë euro janë paraparë për barna esenciale, 145 milionë euro për fëmijë dhe lehona, 100 milionë për kulturë e sport.

Muja ka shtuar se për herë të parë, buxheti për Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë sektorët pritet të jetë 120 milionë euro, 200 milionë euro për mbrojtje e 230 milionë euro për ministrinë e Punëvë të Brendshme.

“Është evidente që të hyrat në katër vitet e fundit janë rritur për mbi 85 për qind ashtu si edhe shpenzimet”, ka shtuar ai.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka thënë se asnjë projekt i rëndësishëm e madhor nuk mbahet mend nga qeverisja aktuale.

Këta besimin e qytetarit e kanë marrë si privilegj dhe po mendojnë që në karriget e pushtetit do të qëndrojnë përgjithmonë. Fjalimet populliste nuk po i ngopin qytetarët. Një planifikim i buxhetit do të kontribuonte në përmbushjen e nevojave të qytetarëve, gjë që nuk po ndodh me këtë Qeveri. Buxheti i shtetit nuk është hajgare…Nëse nuk hartohet siç, duhet jo vetëm që nuk ndihmon, por mundet me përkeqësu situatën. Planifikimi i shpenzimeve është i keq pa kurrfarë efekti në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në përgjithësi. Buxheti që nga viti i paraluftës është rrit nga viti në vit. Rritja e buxhetit te pjesa e të hyrave nuk paraqet ndonjë risi”, ka shtuar ai.

Exit mobile version