Kurti kërkon largimin e Grenell, thotë se duhet të zëvëndësohet sikur dikur Gelbarti me Holbrooken

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se po refuzon takimin virtual të iniciuar nga veprimtarët shqiptarë në SHBA ku do të merrnin pjesë krerët e institucioneve shtetërore dhe të partive politike.

Në këta takim do të diskutohej perspektiva dhe strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, Kurti tha se duhej ta refuzonte pasi një takim i tillë do të legjitimonte një proces që sipas tij po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës.

Kurti deklaroi se problem mbetet presidenti Thaçi, kryeministri Hoti dhe se në Uashington po shkohet pa ndonjë platformë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Duke folur për Grenellin, ai tha se duhet të zëvendësohet sikurse Gelbardi në vitin 1998, ambasador ky që thoshte se UÇK-ja ishte terroriste e që u zëvendësua nga Holbrooke pas kundërshtimit të palës kosovare.