David Young, avokat i Rexhep Selimit në Hagë, ka kërkuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou, lirimin me kusht të klientit të tij. Kërkesa në fjalë ka gjithësej 14 faqe dhe përbëhet nga 51 pika, në të cilat përfshihen edhe konkluzionet dhe kërkesat. Por, kjo kërkesë në vete përmbanë edhe një letër të ardhur nga Kosova.
Rexhep Selimi po kërkon lirimin me kusht nga paraburgimi në Hagë. Për këtë kërkesë, ai e ka marrë mbështetjen edhe të shefit të tij të partisë, Albin Kurti. Madje, ky i fundit i ka dorëzuar një letër gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicollas Guillou, të cilit i ka kërkuar që ta marrë për bazë kërkesën e Selimit për lirim, shkruan lajmi.net.
Letra e Kurtit është përfshirë si aneks i veçantë i kërkesës së avokatit mbrojtës të Selimit, David Young.
Në të, Kurti përshkruan se si është njohur me Rexhep Selimin. Pastaj flet për veprimtarinë e tij, si dhe pretendimet e prokurorisë se ai mund të ndikojë në procedura hetimore.
“Me Rexhep Selimin jam njohur fillimisht nëpërmjet veprës së tij patriotike si një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më vonë si bashkëveprimtar në VV. Në tërë njohjen time prej dy dekadash, Rexhepi ka përfaqësuar për mua njeriun me integritet dhe me virtyte të larta morale dhe njerzore”, thuhet në pjesën e parë të letrës që Kurti ia ka dorëzuar Guillous.
Duke shpalosur mendimet e tij për Rexhep Selimin, Kurti ka kërkuar në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes, që Guillou ta marrë parasysh kërkesën për lirim me kusht.
“Mbetem me shpresë që ju si gjyqtar do të merrni në konsideratë gjithë vlerësimin për karakterin dhe integritetin e Rexhepit kur të gjykoni mbi kërkesën e tij për lirim me kusht”, thuhet në letrën e Kurtit.
Përveç Kurtit, letër në adresë të Guillous kanë dërguar edhe dy persona të tjerë.
Po ashtu, në këto dy letra të tjera të arritura në adresën e gjyqtarit francez, ka edhe pjesë që janë të hijezuara, pra nuk janë lejuara për publikun.
Më poshtë keni letrën e plotë që Kurti ia ka dorëzuar gjyqtarit francez për lirimin e Rexhep Selimit: