Kryeministri Albin Kurti është shprehur se me krijimin e Fondit Sovran do të ketë stabilizim të ekonomisë së Kosovës.
Kurti në konferencën për lansimin e këtij Fondi ka shtuar se ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e këtij projekti me qëllim të rritjes së investimeve.
“Tani kur Projektligji ka kaluar konsultimet publike, tanimë jemi një hap më afër për miratimin e tij. Një nismë e tillë do të rezultojë me një stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijimin e profitit të shtetit përmes investimeve të mençura dhe me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Fondi Sovran do të jetë një mjet institucional i investimeve.
“Ndërmarrje tona publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit me qëllim të rritjes së investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Krahas fuqizimit të ndërmarrjeve publike kemi punuar në fuqizimin e rritjes ekonomike”, është shprehur ai.
“Të gjitha këto nisma e kompletojnë atë të Fondit Sovran, si mjeti institucional i investimeve që do të veprojë në tregjet ndërkombëtare financiare”, ka përfunduar Kurti.
Projektligji për Fondin Sovran deri më 2 prill ka qenë në konsultim publik. Pas konsultimeve, është paraparë që të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.
Ky Projektligj e definon këtë Fond si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës dhe se kapitali themeltar është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Po ashtu, aty thuhet se Fondi Sovran do të menaxhojë me pasurinë e rëndësishme të Kosovës duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen. Në këtë pasuri hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Nga vlerësimet e grupit punues të Projektligjit disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, kombinati metalurgjik Trepça, Trainkos dhe Infrakos.
Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.