Kurti: Efekti i taksës 100 përqind ka qenë minimal – Serbisë do t’i vendosim reciprocitet të plotë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në fushatë zgjedhore dhe pas saj si dhe sipas programit qeverisës angazhimi është zëvendësimi i tarifës 100 përqind me reciprocitet të plotë ekonomik, politik dhe tregtar ndaj Serbisë.

“Është obligim sepse në 2011 është miratuar një rezolutë me të cilën kemi shprehur qëndrimin tonë dinjitoz. Ne konsiderojmë që rezolutat nuk janë tekst në letër por vendime për tu zbatuar. Aplikimi i tarifës 100 përqind  u shfrytëzua nga pretekstet për të refuzuar dialogun dhe Kosova u bë subjekt i trysnisë ndërkombëtare”, ka thënë Kurti, njofton Klan Kosova.

“Efekti ka qenë minimal, sepse nuk është zbatuar si duhet. Në bisedimet që janë zhvilluar janë prezantuar disa marrëveshje që gjoja mundësojnë lëvizjen e lirë, në praktik kjo vazhdon të jetë e cunguar. Eksportuesit nga Kosova pengohen nga Serbia. Deri më tani dialogu është bërë mbi e rrotull e për statusin e Kosovës. Me reciprocitetin dialogu mund të shërbejë për zgjidhjen e pengesave një nga një”.

Kurti ka thënë se me reciprocitet do të vjen njohja e Kosovës nga Serbia.

“Në vend që të dialogojmë për territorin do të diskutojmë si shtet sovran. Kur të njihet patentë shoferi është njohur shteti, certifikata e AVUK, dhe kur nuk do të ketë më asgjë për reciprocitet do të ketë njohje. Nuk është qasje e mençur ‘ose krejt ose hiç’, ‘ose tash ose hiç’”.

“Qëndrimi im është i duhur për të ecur përpara. Qasja jonë është ajo e cila na ka vendosur në ofensivë. Masat që të vendosin në defensivë ku shndërrohesh në kështjellë ku mbrohesh është gabim nga pikëpamja e shtetit”.