Ballina Lajmet Kosovë Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Sarajevë për raportet...

Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Sarajevë për raportet rajonale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë më 5 dhjetor në Sarajevë, ku një ditë më vonë do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga udhëheqësi i kësaj organizate, Adil Kullenoviq, i cili shtoi se kryeministri kosovar do të mbajë një fjalim në këtë konferencë.

“Në këtë sesion do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale”, tha Kullenoviq.

Në tetor, Kurti kishte deklaruar gjatë një samiti të Procesit të Berlinit se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.

Marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që do të mundësojë që qytetarët e këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnjës.

Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.

Qytetarët e Kosovës, që duan të udhëtojnë drejt Bosnjës do të duhen të pajisen me viza, “që lëshohen vetëm në raste të jashtëzakonshme”, dhe duhet të miratohen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës. Kërkesat për viza mund të dorëzohen në Shkup, Podgoricë dhe Beograd, ndërkaq pagesa për vizë është 31 euro.

Për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që duan të udhëtojnë në Kosovë kërkohet, ndër të tjera, një letër garancie ose rezervim hoteli, kontratë pune dhe certifikatë apo konfirmim se nuk janë të dënuar. Viza kushton 40 euro dhe dorëzohet në ambasadën e Kosovës në Zagreb.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit të entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga presidenti prorus Millorad Dodik, i cili është nën sanksione amerikane për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Exit mobile version