Kurti dhe Vuçiq të ftuar në drekën që Von der Leyen do të shtrojë sot për liderët ballkanikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë marrë ftesën për drekë pune nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursual von der Leyen, që do të organizohet sot në Bruksel.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, e cila ka bërë të ditur se i ftuar në këtë drekë është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, dhe kryeministrin e Malit të Zi.

Sipas Pisoneros, Komisioni Evropian aktualisht është duke finalizuar rishikimin e agjendave të reformave të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ende s’e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në drekën e Von der Leyen, por European Policy Center ka njoftuar se Kurti do të jetë folës të enjten në Bruksel si i ftuar i tyre.