Kurti: Bullgaria, shtet mik dhe partner strategjik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bullgaria është jo vetëm një shtet mik i Kosovës, por edhe partner strategjik.

Ai në pritjen lamtumirëse për Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, ka falënderuar diplomatin bullgar, duke thënë se gjatë mandatit të tij në Kosovë janë thelluar marrëdhëniet dypalëshe.

“Gjatë viteve që kemi punuar së bashku, me përkushtimin tuaj, kemi arritur të avancojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve tona”, tha kryeministri.

Gjatë mandatit të ambasadorit Gudjev, në Kosovë janë realizuar pesë vizita të zyrtarëve bullgarë, përfshirë Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe janë organizuar 21 vizita të zyrtarëve të

Kosovës në Bullgari, përfshirë këtu takimin e kryeministrit Kurti me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

Teksa përmendi marrëveshjet e arritura në mes të dyja vendeve, kryeministri tha se Bullgaria ka qenë avokuese për ne sa herë që e kemi kërkuar, prandaj sinqerisht falënderojmë autoritetet përkatëse për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe të dëshmuar për Kosovën. Në veçanti falënderoi ushtarët dhe oficerët bullgarë që kanë shërbyer dhe shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

“Ambasadori Gudjev po përfundon misionin e tij diplomatik, por miqtë që ai ka bërë këtu do të zgjasin përjetë. Do të na mungojë dhe jam i sigurt se do t’i mungojë edhe Kosova. Prandaj, shpresoj të jetë mysafir i rregullt në vendin tonë, të cilin mund ta konsiderojë si shtëpinë e tij të dytë. Me këtë rast, më duhet të falënderoj jo vetëm Shkëlqesinë e Tij për gjithçka që ka bërë, por nëpërmjet tij, vendin që ai përfaqësoi në mënyrë të admirueshme në Kosovë”, tha Kurti thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.