Në nderim të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan në kazermën “Adem Jashari”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, tha se 22 vjet më parë anëtarët e familjes Jashari nuk kursyen jetën për të luftuar me agresorin serb.
Kryeministri ka thënë se Kosova tashmë ka një ushtri të fortë dhe të pavarur.
“Është gjithmonë kënaqësi të jesh në prani të Ushtrisë së Kosovës e sidomos në këto ditë të Epopesë së UÇK-së e cila do të ketë çdoherë në krye komanadantin, Adem Jasharin”.
“22 vite më parë, po ndodhte kulmimi i një situate të re, po ndodhte diçka e jashtëzakonshme të cilën bota nuk e kishte parë, po ndodhte që një familje e tërë, me vetëdije e të pa trembur që po luftonte me Serbinë. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë në politikën e brendshme humbim liderët dhe partitë, por kur nuk pajtohemi në politikën e jashtme atëherë humb shteti”.
“Është interesi ynë aleanca me SHBA-të pasi ne ndajmë aspiratat e përbashkëta. Këtë alenacë nuk mund ta cënojë dhe ta prishë askush pasi është krijuar dhe kultivuar me gjenerata”.
“SHBA-të e duan një Kosovë të fortë dhe të pavarur. FSK mund të ngjajë ushtri e vogël por ajo është partnere e madhe dhe e denjë e SHBA-ve.Borxhi ynë ndaj Jasharajve shlyhet vetëm me shtetndërtim”.