Ballina Lajmet Kosovë Kurti: BE s’ka pranuar që unë ta shkruaj draft-statutin për Asociacionin

Kurti: BE s’ka pranuar që unë ta shkruaj draft-statutin për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që ai ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti tha se tani janë duke pritur draft-statutin e shkruar nga ekipi menaxhues, i caktuar nga marrëveshjet e kaluara në dialog.

“Në takimin e Ohrit të datës 20 mars, kam ofruar që të shkruaj unë draft-statutin e Asociacionit, por me ato tri shtyllat parimore që duhet të pranohen paraprakisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit se këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit në ato vitet para një dekade”, tha Kurti.

Ai tha se ndërmjetësit të dialogut i mbetet të përcaktojë agjendën e takimit të 2 majit në Bruksel, derisa edhe bëri të ditur se në fundjavë do të takohet me emisarin e BE-së, për dialog, Miroslav Lajçak.

“Pra tash i përket ndërmjetësit të përcaktojë agjendën e takimit të radhës me datën 2 maj, ndërsa unë do të takojë ndërmjetësin Lajçak në një konferencë ndërkombëtare në të cilën do të marrë pjesë në këtë fundjavë. Unë kam shprehur gatishmërinë ta bëjë këtë, por aso kohe mu ka thënë se njëherë duhet të bëjë ekipi menaxhues. Ai ekip menaxhues edhe statusin edhe punën e ka jo aq të njohur, megjithatë ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësimit. Ndërsa, unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmëri, ligjshmëri dhe që gjithçka të jetë në funksion me qëllimet dhe parimet tona”, u shpreh Kurti

Këto komente Kurti i bëri pas publikimit te draft-programit kombëtar për shkencë. Kurti shtoi se Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë anëtarë në këtë ekip menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit. Madje ai tha se ky ekip nuk i është përgjigjur asnjëherë thirrjeve të institucioneve të Kosovës.

“Nuk ka anëtarë të grupit punues nga ana jonë. Unë kam zëvendësin tim që në portofolin e tij është përgjegjës për dialogun, ndërkaq draft-statute në të kaluarën kanë konsideruar se e ka për detyrë ekipi menaxhues, i cili ka një vendim të fundit të ish zëvendëskryeministrit Rakiq nga 25 shtatori i vitit 2020 për një ndërrim të përbërjes. Kaq di nga ana ime, i përket ekipit menaxhues të shfaqet. Por ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim këtyre por nuk janë përgjigjur asnjëherë”, theksoi ai.

Përkitazi me këtë, Kurti kërkoi që marrëveshja bazë me Serbinë e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksi i zbatimit të saj më 18 mars në Ohër duhet të zbatohen në tërësi sa më parë.

“Duhet të zbatohen në plotëni dhe sa më parë, pra teksti është i qartë dhe duhet të zbatohet. Është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë se do të bëjë zbatim të pjesshëm që është një mënyrë tjetër për të thënë se nuk do të bëjë zbatim”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, potencoi fushatën e egër që Serbia e ka pasur kundër serbëve në Kosovë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.

Exit mobile version