Kurti: 12 dhjetori i vitit 2024, ditëlindja e Kosovës digjitale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në lansimin e Projektit të Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve, të organizuar në partneritet me Bankën Botërore.

Sipas kryeministrit Kurti, kjo ngjarje shënon fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në rrugëtimin e transformimit digjital të Kosovës që ka për synim modernizimin e qeverisjes dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike përmes inovacionit digjital.

“Projekti i Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrim të Shërbimeve, të cilin po e emërtojmë sot shkurt si Kosova Digjitale, është një nismë ambicioze që mishëron përkushtimin tonë për të modernizuar ofrimin e shërbimeve publike dhe për të ndërtuar një qeveri të fuqizuar digjitale për qytetarët tanë”, është shprehur ai.

Kurti po ashtu ka thënë se si një vizion dhe zotim i përbashkët, Kosova Digjitale është bashkëdizajnuar dhe mbështetur financiarisht nga Bankat Botërore, me buxhet prej 18.5 milionë eurosh, derisa Qeveria e Japonisë përmes dy granteve me vlerë prej 800 mijë dollarësh, ka mbështetur nisjen e shumë aktiviteteve fillestare dhe përgatitore që janë një ndihmesë e madhe për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Projektit Kosova Digjitale.

“Përmes grantit të Qeverisë së Japonisë, tashmë po e finalizojmë dizajnimin e qendrës së parë të integruar të shërbimeve, e cila të funksionojë si një one-stop-shop fizik, ku qytetarët do të mund të marrin shërbime qeveritare në një lokacion të vetëm, me ndihmën e zyrtarëve publikë. Projekti Kosova Digjitale do të mundësojë realizimin e kësaj iniciative”, ka shtuar tutje kryeministri Kurti.

Më tej ai ka shtuar se projekti “Kosova Digjitale” do të kontribuojë edhe në avancimin e mëtejshëm të dritarës E-Kosova, e cila ka mbi 986,000 përdorues të regjistruar dhe me gati 200 shërbime online elektronike të lansuara, duke e vendosur qytetarin në qendër dhe duke organizuar shërbimet rreth ngjarjeve jetësore të tij. Në këtë kontekst, kryeministri ka veçuar ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijëve, dhe sipas tij ,projekti i ri do të mundësojë që kjo qasje të zgjerohet edhe në ngjarje të tjera jetësore të secilit individ qytetar të Republikës sonë.

“Në planin e rritjes dakorduar me Bashkimin Evropian, ne jemi zotuar se do të digjitalizojmë 50% të shërbimeve publike deri në vitin 2027, përderisa synimi ynë është që deri në vitin 2030 të digjitalizojmë 100% të shërbimeve kyçe publike, që është synim i vendeve të Bashkimit Evropian, i përcaktuar në programin e dekadës digjitale 2030 të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Ndërsa, në fund të fjalimit kryeministri Kurti ka thënë se dita e sotme, 12 dhjetori i vitit 2024, është ditëlindja e Kosovës digjitale, derisa ka kujtuar se Kosova për transferimin digjital nga indeksi GTMI i Bankës Botërore, ka avancuar nga Grupit C i vendeve me fokus të kufizuar, në Grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.

“Progresi i Kosovës në transferimin digjital është i njohur edhe nga indeksi GTMI i Bankës Botërore, kur keni avancuar nga Grupit C i vendeve me fokus të kufizuar, në Grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale. Megjithatë edhe shumë punë na mbetet për t’u bërë. Prandaj, teksa inaugurojmë zyrtarisht fillimin e këtij projekti, ju ftoj të punojmë së bashku për Kosovën Digjitale, e cila do të kontribuojë që vendi ynë të jetë më i zhvilluar, më i begatë dhe më i fortë. 12 dhjetori i vitit 2024 është Ditëlindja e Kosovës Digjitale”, ka deklaruar ai.