Kurthi i tundimit dhe imunizmi kundër tij

Prof. Driton Arifi

Për aq kohë sa ka jetë në tokë, këtu do të mbetet e gjallë mosmarrëveshja ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, si dhe do të mbetet dinamik “konflikti” ndërmjet së mirës dhe të së shëmtuarës.
Pasuesit e dy rrugëve të kundërta do të vazhdojnë të ftojnë njerëzit në rrugët e tyre. I Dërguari ynë i fundit, Muhamedi a.s. mbetet përfaqësuesi më besnik i thirrësve në rrugën e drejtë të Zotit. Ai, me besnikëri, ftonte në atë që kishin ftuar paraardhësit e tij nga pejgamberët e Zotit.
Nuk dridhte gjuhën e tij për të mashtruar askënd, e as nuk lajkatonte fjalët që të lajthiste asnjë njeri. Përkundrazi, kishte durimin dhe priste derisa edhe përfaqësuesit e rrugës së gabuar, idhujtarët, ateistët e femohuesit të përfundonin fjalët e tyre, e pastaj fillonte duke cituar fjalët e Allahut. Në një takim që pati me të Utbe ibën Rebian – idhujtar arab, në tentim që ky i fundit po e bënte që t’ia mbushte mendjen të Dërguarit të Zotit që të hiqte dorë nga misioni i tij, ai e dëgjoi Utben deri në fund, e tek pastaj i tha: e përfundove çfarë pate për të thënë o Ebu Velid?” Ai tha: “Po!” Atëherë i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, filloi të lexonte ajetet e kaptinës Fussilet: “Ha, Mimë. I zbritur prej Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kuran arabisht për një popull që di ta kuptojë. Është përgëzues dhe qortues, po shumica e tyre ia kthyen shpinën, andaj ata nuk dëgjojnë…” (Fussilet, 1-4).
Muhamedi a.s., ashtu siç ishte skajshmërish i sinqertë përderisa lexonte të vërtetat e Kuranit publikisht para njerëzve, por me po të njëjtin pasion e sinqeritet, sqaronte për të gjithë për rrezikun e atyre që i kanë vënë detyrë vetes mashtrimin e lajthitjen e shoqërive njerëzore. U rrëfente për ata njerëz që gjatë gjithë historisë, do të gjinden buzë rrugës së drejtë, e që me zërin e tyre kumbues do të ftojnë njerëzit që të braktisin rrugën e besimit. I Dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, i përshkruante të tillët si “thirrës pranë portave të skëterrës” kur ai thoshte: “Do të ketë (gjithnjë) thirrës pranë portave të zjarrit – xhehenemit, kush iu përgjigjet atyre, ata e hedhin në zjarr. Ata janë njerëz që i përkasin lëkurës sonë dhe flasin me gjuhët tona…” (El Buhari, 3606). Këtu kemi një skicim të një kategorie që veprimtaria e tyre rrezikon të ardhmen – ahiretin e secilit besimtar. Hadithi, pos saktësisë dhe autenticitetit të pa kontestuar të tij, flet në mënyrë të qartë për kurthin e tundimit, që rëndom bien në të, ata që naivitetin dhe vetëdijen e ulët e kanë pjesë të pandashme të karakterit të tyre. Andaj, me plotë gojën duhet thënë se mediokriteti mbetet tipari që nga mesi ynë duhet flakur sa më parë. Ai s’përket me natyrën e besimtarit dhe asnjëherë nuk i bie tamam atij.
“Thirrësit pranë portave të zjarrit”, janë kategoria e përsëritshme e njerëzve që nuk mungojnë asnjëherë, në asnjë epokë historike, dhe për shkak të kapaciteteve të tyre të larta lajthitëse gjejnë turma të mëdha njerëzish që u duartrokasin dhe që verbërisht i pasojnë. Të tillët, i kanë vënë vetes për detyrë joshjen, tundimin dhe tërheqjen tinëzare të njerëzve drejt rrugës së gabuar, andaj atë edhe e kryejnë me më së shumti pasion.
Sipas përshkrimeve të interpretuesve të hadithit në fjalë, kjo kategori e njerëzve janë ata që në vend të besimit të pastër në Zotin Një, ftojnë në mohim të hyjnitetit të Tij apo ortakëri në besimin e kulluar ndaj Tij. Në vend të virtyteve të moralit, ftojnë në shthurje e braktisje të vlerave të tij. Në vend të zbatimit të drejtësisë dhe vendosjes së rendit në tokë, ngarendin pas, tiranisë dhe synojnë përhapjen e trazirave në të. Po këta, përqeshjen dhe ironizimin me pasuesit e rrugës së Islamit e kanë si mjet, ndërsa abuzimin me të vërtetat i marrin gjithnjë si strategji. A janë të shumtë këto kategori edhe sot? Natyrisht se po! Me se duhet përballur? Me fuqinë e argumentit dhe me qartësinë e të vërtetave të mahnitshme që i përmbajnë burimet kredibile të fesë së Zotit tonë. Vetëm në këtë truall nëse me maturi lëvrojmë, atëherë një të ardhme të ndritshme shoqërive tona u garantojmë.

Editorial
Dituria islame 404
Prof. Driton Arifi