Çifti ndodhet në yjësinë e Ujorit, 89 milionë vite dritë larg, rekordi ishte 470 milionë vite dritë
Vrojtohet për herë të parë një çift vrimash të zeza në galaktikën NGC7727 , në yjësinë e Ujorit. Janë më të afërtat deri më tani me Tokën, pasi ndodhen 89 milionë vite dritë larg, ndërkohë që rekordi I deritanishëm ishte 470 milionë vite dritë larg.
Zbulimi është realizuar falë teleskopit VLT të Observatorit Europian të pozicionuar në Kili dhe studimi nga një grup ndërkombëtar ekspertësh është publikuar në revistën “Astronomy & Astrophysics”.
Vrima të zeza supermasive si këto, pozicionohen në qendër të galaktikave dhe kur dy prej tyre shkrihen e bashkohen, afrohen shumë me njëra tjetrën dhe kanë një ndarje mes tyre shumë të vogël, që përllogaritet në 1600 vjet dritë larg njëra-tjetrës.
Kjo distancë e vogël që i ndan sipas studiuesve, por edhe shpejtësia e tyre, tregon që mund të bashkohen në një vrimë të zezë gjigande të paktën brenda 250 milionë viteve.