“Kurejshët” shqiptarë

Justinian Topulli

Pasi pashë nga ekrani, iftaret e politikanëve tanë dhe fjalimet e tyre plot elokuencë dhe miklime, për Islamin dhe myslimanët e këtij vendi, që nga kryeministri e deri tek lideri i opozitës, sesi ndër të tjera na tregonin sesi janë Islami dhe myslimanët, mu kujtuan paria idhujtare e kurjeshëve, kur e joshte të Dërguarin e Allahut duke i ofruar pushtet, pasuri dhe famë, por me kushtin që të mos cenonte besimin dhe rendin e tyre.

Thelbi i joshjesh dhe i kushtit është i njëjtë, si sot ashtu edhe pesëmbëdhjetë shekuj më parë, vetëm forma dhe artikulimi kanë ndryshuar: nëse doni pushtet, paqe me ne, mirëkuptim, integrim dhe mirëqenie, qëndroni vetëm tek ajo pjesë e Islamit që na pëlqen ne, ndërkohë mbajini të mbyllura vetëm për vete të vërtetat ekskluzive të tij, sepse gjithsecili ka të vërtetën e vetë, dhe e vërteta është relative!

Që myslimanët, me naivitetin e tyre, jo pak e kanë ngrënë sapunin për djathë, kjo duket qartë. Mjafton për këtë të shohësh pëlqimet (liket) e tyre të shumta që iu kanë dhënë si njërit dhe tjetrit nga këta politikanë, edhe pse hasëm mes tyre, por në të njëjtën linjë joshjesh, miklimesh dhe ofertash.

Uroj që ta kem unë gabim, përndryshe nuk i kemi punët mirë me Zotin.

Hoxhë Justinian Topulli