Massoud Barzani, kryetar i rajonit gjysmë-autonom kurd të Irakut Verior, tha se referendumi i muajit të ardhshëm mbi ndarjen e rajonit kurd do të mbahet siç është planifikuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për një media lokale, Barzani tha se shtyrja e votimit është “e pamundur”. Ai refuzoi kërkesën nga sekretari i shtetit të SHBA-ve, Rex Tillerson, për të shtyrë votimin.
“Nuk kam miratuar shtyrjen e referendumit”, tha Barzani, duke shtuar se, “Unë i dhashë atij vetëm miratimin për t’u angazhuar në dialog me Bagdadin për të negociuar një formulë që garanton një të ardhme më të mirë për të dyja palët”.
I pyetur rreth synimit të tij për t’u kandiduar për presidencë, Barzani tha se ai “nuk do të kandidojë për presidencë dhe as nuk do të emërojë ndonjë nga të afërmit e tij për këtë post”.
Udhëheqësi kurd tha se zgjedhjet në rajonin kurd do të mbahen në shtator, ashtu siç është planifikuar. “Nëse palët dalin nesër me një kandidat konsensual në votim, unë do ta mirëpres atë”, shtoi ai.
Referendumi jo i detyrueshëm, i planifikuar për 25 shtator, do të tregojë votën e banorëve të rajonit kurd nëse do të deklarohet ose jo pavarësia nga qeveria qendore e Irakut në Bagdad.
Megjithatë, Bagdadi hodhi poshtë referendumin e planifikuar, duke thënë se kjo mund të ndikojë negativisht në luftën e vazhdueshme të rajonit kundër organizatës terroriste DEASH.
Qeveria e Irakut gjithashtu pohon se votimi do të shkelte kushtetutën e Irakut të vitit 2005 dhe do të ishte “pa përfitim politik apo ekonomik, ndaj kurdëve të rajonit”.
Turqia, gjithashtu kundërshton referendumin e planifikuar, duke këmbëngulur se stabiliteti i rajonit është i lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Irakut.
Edhe SHBA-të poashtu kanë shprehur shqetësimin se referendumi mund të shërbejë si një “shpërqëndrim” nga çështjet tjera rajonale, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe stabilizimit politik të Irakut “të lodhur” nga lufta./Mesazhi/