Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë, ka njoftuar se organizata terroriste PKK/PYD është tërhequr nga rajoni Tal Rifat nën pushtim në qytetin Halep të Sirisë dhe se në rajon janë vendosur forcat e regjimit sirian.
Shef i Departamentit të Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, gjenerali Sergey Rudskoy, në një konferencë për media tha se e kanë “bindur” PKK/PYD-në që të largohet nga rajoni Tal Rifat.
Duke vënë në dukje se në vendin e liruar nga PKK/PYD-ja, janë vendosur forcat e regjimit, Rudskoy ka theksuar se në rajon është vendosur policia ushtarake ruse me qëllim që të mos ndodhin konflikte mes opozitarëve dhe regjimit.
Gjenerali Rudskoy, ka shtuar më tej se policia ushtarake ruse kryen detyrën e saj në dy pika kontrolli dhe katër pika vëzhgimi në Tal Rifat.
Organizata PKK/PYD në shkurt të vitit 2016 pushtoi rajonin Tal Rifat i cili ndodhet në jug të qytetit Azez nën kontrollin e opozitarëve. Organizata terroriste gjithashtu detyroi dhjetëra mijëra civilë që të migronin nga rajoni Tal Rifat.