“Thuaj: Namazi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e gjithësisë”. (El-En’am, 162)
Praktika rituale e bërjes fli është e vjetër sa edhe historia e religjionit. Si Bibla, ashtu edhe Kurani fisnik shënojnë rrëfimin mbi kurbanet e dy bijve të Ademit a.s., nga të cilët njërit iu pranua, e tjetrit nuk iu pranua.
Interpretimi i këtij tregimi në Dhiatën e vjetër, dallon nga ai kuranor në një aspekt shumë të rëndësishëm, pa të cilin tregimi e humb vlerën dhe kuptimin e vazhdimësisë. Dhiata e vjetër preferon “majmërinë” e kurbanit, kurse Kurani – devotshmërinë e njeriut. Për Kuranin fisnik, me rëndësi vendimtare është motivi e jo lënda e kurbanit (sakrificës).
Duke mos i përmendur emrat, Kurani e çliron mendjen, ngjarjen nga prangat kohore dhe kështu tregimin e bën të hapur dhe aktual për çdo kohë. Të gjithë ne jemi bijtë e Ademit dhe gjithmonë në mesin tonë do të ketë nga ata, sakrificën e të cilëve do ta pranojë Allahu xh.sh. dhe nga ata sakrificën e të cilëve nuk do ta marrë fare parasysh. Therja e kurbanit është formë specifike e sakrifikimit islam dhe e traditës, e cila shtrihet deri te rasti që lidhet me Ibrahimin dhe të birin e tij, Ismailin a.s..
Një natë, Ibrahimi a.s., mori urdhër në ëndërr nga Allahu xh.sh. që ta flijojë djalin e vet, Ismailin. Kjo ishte sprova e Allahut drejtuar Ibrahimit a.s. dhe Ismailit.
Kurani e paraqet këtë ngjarje në këtë mënyrë:
“Dhe kur fëmija (Ismaili) u rrit aq sa t’i ndihmojë në punë, Ibrahimi i tha: “O biri im, kam parë ëndërr se duhet të të pres, çka mendon ti?” “O baba – tha (Ismaili): Vepro ashtu siç je urdhëruar; njëmend do të bindesh se nëse do Allahu – unë do të jem i durueshëm.” Pasi e pranuan që të dy urdhrin, e rrëzoi (djalin) në krah. Ne i thirrëm: “O Ibrahim, ti e realizove ëndrrën. E Ne, me të vërtetë, kështu i shpërblejmë bamirësit. Kjo në të vërtetë ishte një sprovë e qartë. Dhe ne e zëvendësuam atë me një kurban të madh. Kurse përkujtimin e tij të mirë ua lamë brezave të ardhshëm.” (Es-Safat, 102-107)
Vendosmëria e Ibrahimit që të bëjë sakrificë dhe gatishmëria e Ismailit që të bëhet sakrificë, ka qenë një sprovë shumë e madhe dhe e pashembullt në historinë e gjinisë njerëzore. I gatshëm ta flijojë djalin, lindja e të cilit ishte fryt i luftës dhe shpresës modeste pleqësore, gëzim i pritur gjithë jetën! Dhurata e Zotit që i duhej kthyer Zotit. Të bërit kurban të tij, për mendjen njerëzore do të thotë të prerit e palmës së gjelbër që i premton shpresë për zgjatjen e jetës shkretëtirës së vdekur, ndërsa për mendjen profetike ajo është të konfirmuarit e nënshtrueshmërisë ndaj përcaktimit të Zotit.
Kjo është ngritja e njeriut deri te dashuria më e lartë, dashuri që shkrin çdo dashuri tjetër, deri të vullneti i çeliktë, i cili eviton çdo gjë që rrezikon dorëzimin e plotë ndaj Zotit. Ai na jep çdo të mirë, e ne në shenjë mirënjohjeje, falim namaz dhe presim kurban. Ai që na urren do të mbetet i pa përkujtuar, ndërsa përkujtimi ynë është përkujtimi i Ibrahimit nga brezat e ardhshëm:
“Ne të dhamë ty, me të vërtetë, të mira shumë të mëdha. Prandaj falu dhe prej kurban për Zotin tënd! Ai që të urren ty, me siguri, do të jetë pa ardhmëri”. (El-Kevther, 1-3)
Çdonjëri prej nesh, nganjëherë bie në sprova, vërtet më të vogla, por të ngjashme me atë të Ibrahimit a.s.. Ne e dimë më mirë ç‘është, dhe cili është “Ismaili” ynë. Ai mund të jetë pasuria, pozita, pushteti, karriera etj. Çdo gjë që e duam afërsisht në atë mënyrë dhe në atë masë sikurse Ibrahimi Ismailin. A ka tek ne diçka të ngjashme me babanë e tillë dhe me djalin e tillë?
Para nesh janë dy breza, i vjetri që po perëndon dhe i riu në agim. Takimi i dy brezave nën idealin e besimit në Një Zot, gjen gjuhë të përbashkët dhe vija të plota konvergjente. Të dy këta breza, të dyja këto figura pasqyrojnë në mënyrë të plotë e të qartë përmes kësaj sprove, besimin e tyre të paluhatshëm tek Allahu xh.sh. Ata janë shembujt më të përkryer, të cilët pasqyrojnë dy kategori njerëzish në ditët tona: intelektualin dhe të riun e sotëm.
Ibrahimi a.s. është profeti i parë që përdori intelektin (metodën racionale) për t’i dëshmuar dukuritë natyrore dhe ekzistencën e Fuqisë absolute të Zotit. Në këtë pikëpamje, Ibrahimi a.s. është model për intelektualin e sotëm. Ai është shembull i dashurisë më madhështore ndaj idealit më të lartë, ndaj Krijuesit të Madhërishëm, shembull i flijimit të asaj që është më e dashura për njeriun, pasionit për pasuri e pasardhës.
Ismaili a.s., profeti i ardhshëm i Zotit, është po ashtu model për të rinjtë e sotëm. Është model i nënshtrimit të plotë ndaj urdhrit të Allahut xh.sh. dhe i dëgjueshmërisë shembullore ndaj prindit. Ai është model i sakrifikimit të çdo gjëje, qoftë edhe të asaj që është më e shenjta dhe më e shtrenjta për çdo njeri, jetës rinore në emër të Zotit dhe për zbatimin e urdhrit të Tij.
Ibrahimi a.s. ishte i gatshëm të flijojë edhe djalin e vet për hir të Allahut xh.sh., për idealin më madhështor, pa të cilin nuk ka ngritje dhe progres. Vetëm në emër të idealeve të larta, vetëm në emër të Allahut, mund të bëhen sakrifica të mëdha për të mirën e të tjerëve, për të mirën e popullit, për të mirën e atdheut dhe të njerëzimit në përgjithësi. Njerëzit bëhen të famshëm e të pavdekshëm vetëm nëse janë të gatshëm të flijojnë, qoftë edhe veten, për qëllime fisnike, ndërsa popujt bëhen të mëdhenj e të fuqishëm vetëm nëse stolisen me virtyte e ndjenja sakrifikuese dhe gatishmëri për të flijuar atë më të dashurën e më të çmueshmen për të mirën e përgjithshme, për prosperitetin dhe mirëqenien e njerëzimit.
Kurani këtë e ka thënë qartë:
“Ju kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e plotë (prosperitetin), përderisa të mos sakrifikoni diçka nga ajo që e keni më të dashurën dhe më të çmueshmen”. (Ali Imran, 92)
“Pasuria dhe fëmijët janë stolitë e jetës së kësaj bote, por veprat e mira, që mbeten përgjithmonë, janë të shpërblyera më mirë te Zoti dhe janë shpresa më e mirë.” (El-Kehf, 46)
Historia e njerëzimit, sidomos historia e përhapjes së Islamit, është plot me shembuj që flasin shumë qartë se asnjë sukses – edhe ai më i vogli, nuk mund të arrihet pa sakrifica. Sa herë që bashkësia islamike bëhej e fuqishme shpirtërisht dhe e gatshme të japë çdo gjë prej vetes, atëherë myslimanët ecnin përpara dhe prosperonin.
Islami është konstruktiv dhe praktik dhe në pajtim me këtë janë përcaktuar edhe dispozitat dhe janë themeluar institucionet e tij. Të gjitha detyrimet materiale janë caktuar që t’i shërbejnë sa më mirë qëllimit të vet – shërimit të mjerimit material e shpirtëror të individit dhe shoqërisë.
Është parim i përgjithshëm etik se pa sakrifica nuk ka as vepra të mira. Sakrifica mund të shprehet në disa forma: materialisht, personalisht me vetëmohime, përpjekje intelektuale, punë fizike etj. Çdo individ, sipas aftësive të tij intelektuale, fizike dhe materiale, e ka obligim përpjekjen dhe vetëmohimin për të mirën vetjake dhe kolektive.
Obligimi i prerjes së kurbanit për ata myslimanë që kanë mundësi materiale, është shumëfish i dobishëm. Prerja e kurbanit ka disa domethënie: fetare, morale dhe sociale. Aspekti fetar manifestohet përmes gatishmërisë për flijim në shenjë bindjeje e mirënjohjeje ndaj Krijuesit të gjithësisë, sepse, tek Allahu nuk arrin mishi dhe gjaku i tyre, por arrin vepra dhe devotshmëria jonë të bëra me sinqeritet.
Domethënia morale e prerjes së kurbanit nënkupton çlirimin nga varësitë e ndryshme të pasurisë, egoizmit dhe koprracisë, sepse prerja e kurbanit është shenjë e dëlirësisë së zemrës, “dhe se Allahu e pranon atë vetëm nga ata që janë të mirë.”
Shpresojmë që me prerjen e kurbanit, me simbolin e sakrificës, do të vrasim egoizmin në vete, do t’i afrohemi Allahut xh.sh., do të bëhemi më bujarë, më të afërt me njëri-tjetrin, më të moralshëm, më të fortë në fe, përkundër të gjithë atyre që mbjellin urrejtje e përçarje, bashkë me gënjeshtra e shpifje.
Domethënia sociale e kurbanit shprehet me faktin se dy të tretat e mishit të kurbanit u jepen farefisit, miqve, fqinjëve dhe të njohurve, pavarësisht nga përkatësia fetare. Lëkurat e kurbaneve shiten në llogari të institucioneve fetare-arsimore dhe humanitare-shoqërore.
Ky është, pra, obligimi i kurbanit dhe kjo është njëkohësisht edhe rruga e Allahut, të cilën duhet ta ndjekim dhe për të cilën duhet të flijojmë:
“O besimtarë! Kryeni obligimet tuaja ndaj Zotit dhe kërkoni mënyra si t’i afroheni! Luftoni (bëni përpjekje) në rrugën e Tij po deshët të shpëtoni”. (Et-Tevbe, 24)
Ky ajet thekson qartë kushtet e lumturisë së gjithmbarshme. Njerëzit dhe bashkësitë që iu përmbahen me përpikëri këtyre kushteve, patjetër do të arrijnë shkallën më të lartë të zhvillimit dhe mirëqenies së tyre të përgjithshme.
Si përfundim, sakrifica dhe vetëmohimi është baza e suksesit në jetë, e progresit në të gjitha fushat e jetës njerëzore. Vetëmohimi dhe sakrifica zënë vend të lartë në shkallën e virtyteve në Islam. Vetë ritet fetare islame kanë vlerën e atyre virtyteve. Të gjitha këto na shpien në përfundimin se sakrifica është rruga kryesore që na shpie te mëshira e Zotit xh.sh..
(Mr. Muhidin Ahmeti, marr nga revista “Dituria Islame” nr. 367) /bislame